Pavarësia i dha kuptim historisë

Komentet e saj, Jahjaga i bëri gjatë një parade të Forcës së Sigurisë me rastin e katër-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Republika e Kosovës, tha Jahjaga, e ka integritetin e vet territorial të garantuar dhe të pranuar ndërkombëtarisht, e ka subjektivitetin e plotë të përfaqësimit ndërkombëtar, ashtu si edhe të gjitha shtetet e tjera.
“Republika e Kosovës është një fakt i pamohueshëm dhe i panegociueshëm, është një realitet tashmë i pranuar, që vlerësohet si faktor paqeje dhe stabiliteti dhe që konsiderohet si zgjidhja më e drejtë dhe e vetme. Republika e Kosovës zhvillon marrëdhënie bilaterale me një varg shtetesh, ndërsa në avancimin e marrëdhënieve fqinjësore është bërë një shembull i mirë që respektohet dhe nderohet”, tha Jahjaga.
Duke ritheksuar synimet e shtetit të Kosovës për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, presidentja Jahjaga kishte edhe porosinë e saj për Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke vlerësuar se ajo shumë shpejt do të jetë në stafin tjetër, që nënkupton se do të shndërrohet në Ushtrinë e Kosovës.
“Forca e Sigurisë së Kosovës deri tash i ka kryer me sukses te gjitha detyrat qe i janë dhënë. Ajo i ka përmbushur të gjitha kapacitetet operacionale dhe është plotësisht e gatshme për të kaluar në fazën tjetër që e kërkon vendi ynë”, theksoi Jahjaga.
Dita e pavarësisë i ka dhënë kuptim historisë së Kosovës, tha në fjalimin e tij kryeministri Hashim Thaçi. Megjithatë, ai rikujtoi edhe disa zhvillime e fakte historike që ndërlidhen me katër-vjetorin e shtetit të Kosovës dhe 100-vjetorin e shtetit të Shqipërisë.
“Sot përderisa Shqipëria shënon 100-vjetorin e pavarësisë, për fat të keq ne kujtojmë 100-vjetorin e pushtimit të Kosovës nga Serbia - por, sot të lirë, të pavarur dhe sovran e krenar. Shteti i Kosovës ka sjellë më shumë paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe perspektivë euroatlantike”, tha Thaçi.
Liderët kosovarë rikujtuan se Kosova e lirë dhe e pavarur është rezultat i sakrificës së popullit të saj dhe i mbështetjes ndërkombëtare, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë ditës, udhëheqësit më të lartë të institucioneve, si edhe ata të partive politike bënë homazhe te varri i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, si dhe te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe komplekse e përmendore të atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. (REL)
Nis manifestimi për pavarësinë
Në Prishtinë ka nisur manifestimi qendror për nder të katërvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që organizojnë një paradë për nder të kësaj dite dhe mysafirëve të tjerë, ka çmuar veprën e të gjithë atyre që kanë punuar dhe luftuar për të arritur pavarësinë.
“Të ardhmen e Kosovës e shohim në integrimin e plotë në BE, NATO dhe në miqësinë e përjetshme me SHBA-të”, ka thënë presidentja, e cila ka ngritur lart punën e bërë nga FSK-ja.
“FSK-ja i ka përmbushur të gjitha kapacitetet operacionale dhe është e gatshme që të kalojë në fazën tjetër që e kërkon vendi ynë”, ka thënë Jahjaga, e cila ka numëruar të arriturat edhe të institucioneve tjera, si të Policisë së Kosovës.
“Kosova do të jetë ashtu siç ne duam”, ka thënë Jahjaga, duke ia uruar tërë popullit Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se katër vite më parë u bë hapi final duke u shpallur Kosova shtet i pavarur dhe sovran.
“17 shkurti bashkon në një sakrificën e së kaluarës, përkushtimin për të tashmen, dhe sfidat për të ardhmen”, ka thënë kryeministri Thaçi, i cili gjithashtu ka lavdëruar punën e pjesëtarëve të FSK-së.
Pas fjalimeve të liderëve ka nisur parakalimi i trupave të Forcave të Sigurisë së Kosovës. (REL)
Katër vjet shtet
Kosova shënon sot katër-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, çfarë paraqet edhe njërën nga datat më të rëndësishme të historisë së deritashme të vendit.
Të mbledhur në Kuvendin e Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008, ligjvënësit kosovarë nënshkruan deklaratën e pavarësisë.
Asaj i parapriu një rrugëtim i gjatë në vite, por që nisi të marrë formë në vitet e para të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Filloi me grevën e minatorëve të Trepçës, në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës, për të vazhduar më pas me ndryshimin e Kushtetutës së vitit 1974, protestën e Lëvizjes Studentore, sulmet e forcave serbe në Prekaz e deri te ngjarja që vuri themelet e historisë së re – bombardimet e Aleancës Veriatlantike në caqet serbe.
Fushata e NATO-s, që nisi më 24 mars të vitit 1999 dhe që zgjati për plot 78 ditë, u karakterizua me dëbimin masiv që u bënë forcat serbe shqiptarëve të Kosovës, ndërsa rezultoi me kapitullimin e autorit të luftës – Sllobodan Millosheviq.
U deshën më shumë se tetë vjet që të miratohet shpallja e koordinuar e pavarësisë ndërmjet Uashingtonit, Brukselit dhe Prishtinës, sipas planit të ish-presidentit finlandez, Marti Ahtisari.
Po ku është Kosova sot, katër vjet pas krijimit të shtetësisë? Ajo ka siguruar njohje prej 87 shtetesh ndërkombëtare – shifër kjo që nga disa konsiderohet e kënaqshme, nga të tjerët e pamjaftueshme.
Në ditët e para të lindjes, shtetësia e Kosovës është pranuar nga fuqitë e mëdha botërore, si Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania, Franca, Austria. Kosova është njohur edhe nga të gjitha shtetet përbërëse të ish-Jugosllavisë, përjashtuar këtu Bosnjë-Hercegovinën dhe Serbinë.
Por, pengesa të konsiderueshme për shkak të mosnjohjes vlerësohet se paraqesin pesë vendet e Bashkimit Evropian - Greqia, Spanja, Sllovakia, Qiproja dhe Rumania - që, sot e kësaj dite, nuk e kanë marrë ende një vendim të tillë. Mosunifikimi i bllokut 27-anëtarësh mbetet sfidë për Kosovën sa i përket integrimit, por jo vetëm.
Shteti më i ri në Evropë ka një shkallë të lartë të varfërisë dhe papunësisë, ndërsa ka shënuar zhvillim të ngadalshëm ekonomik. Korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk e kanë lënë Kosovën jashtë grupit të shteteve rajonale, të përfshira në këto dukuri. Sfidë numërohet edhe pavarësia e gjyqësorit, ashtu si edhe liria në media.
Në marsin e vitit të kaluar, Prishtina zyrtare ka hyrë në një proces që nga aktorët ndërkombëtarë është mirëpritur, por jo edhe nga të gjithë kosovarët – dialogu me Beogradin për, siç është thënë, çështjet e pazgjidhura teknike.
Procesi nuk mund të konsiderohet më pak sfidant për Kosovën, pasi shteti serb vazhdon të mos zbatojë si duhet marrëveshjet që kanë arritur palët, si dhe të shfaqë pengesa për arritjen e kompromiseve të reja.
Përfaqësimi i Prishtinës në nisma rajonale është shkaku i ngecjes disamuajshe të negociatave, me gjithë thirrjet e Brukselit, si ndërmjetësues në proces, që palët t’i kthehen tryezës së bisedimeve.
Beogradi do që Kosova të përfaqësohet nën Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, por një gjë e tillë kundërshtohet fuqishëm nga vetë Kosova, e cila do që të përfaqësohet si shtet i pavarur dhe sovran.
Kjo është vetëm njëra nga këmbënguljet e autoriteteve kosovare, të cilat i pret edhe realizimi i premtimeve të tjera: qytetarët kosovarë duan liri të lëvizjes – Kosova është i vetmi vend në Ballkan që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në.
Zotimi i krerëve kosovarë mbetet shpresëdhënës. (REL)
Kosova në festë
Sot në gjithë Kosovën ka filluar festa e pavarësisë së Kosovës, e shpallur katër vjet më parë. Me këtë rast, personalitet ë larta të shtetit kanë paralajmëruar një mori vizitash dhe aktivitetesh të tjera.
Kështu, presidentes e vendit Atifete Jahjaga gjatë ditës sotme pritet të vendos kurora lulesh para varrit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova. Më pastaj, të njëjtën gjë do ta bëjë edhe para shtatores së Heroit të Kombit, Zahir Pajaziti. Jahjaga do ta vizitojë edhe Kompleksin Memorial të Jasharajve në Prekaz, ndërsa më pas edhe Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Gllogjan
Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, do të bënë homazhe te varri i Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.
Gjithashtu, për ndër të festës, Forca e Sigurisë së Kosovës do të parakalojë në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Të përkujtojmë se, deri më tani, me rastin e katër vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit tonë, presidenten Jahjaga e kanë uruara: Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, Presidenti i Republikës së Francës, Nikolas Sarkozy, Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano, Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar, Elizabeth II, ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Songyl Ozan.