E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përforcimet amerikane të Al Qaedës

Këtë javë, Al Qaeda u bashkua me “kushëririn” e saj në Somali, organizatën Al Shabab. Ajo që brengos zyrtarët Perëndimor, është aftësia e Al Shahabit që të rekrutojë shtetasit amerikanë në radhët e veta. E vërteta shqetësuese është se Al Shahab ka qenë shumë më i suksesshëm në përpjekjet për të rekrutuar shtetas amerikanë, se sa që kanë qenë degët tjera të Al Qaedës nëpër botë. Thuhet se së fundi këtij grupi i janë bashkuar 40 shtetas amerikanë, krahas dhjetëra të tjerëve të cilët janë të përfshirë në aktivitete përkrahëse në territorin e SHBA-së.

Me qindra somalezë u tubuan këtë javë në periferi të Mogadishos, për të kremtuar bashkimin e Al Qaedës me kushëririn e saj në Somali, grupin kryengritës, Al Shabab. Ajo që brengos zyrtarët Perëndimor, është aftësia e Al Shahabit që të rekrutojë shtetasit amerikanë në radhët e veta.

Shumë gazetarë ishin mësuar të mendojnë se bëhet fjalë për të njëjtin grup. Të tjerët vazhduan të raportojnë se Al Qaeda ka filluar të humbë ndikimin, pas vrasjes së kryesuesit të këtij grupi, Osama Bin Ladenit, në maj të vitit të kaluar.

Por ndoshta do të kishte qenë më mirë që raportimet e tyre t’i hapnin me titullin e thjeshtë:”Dhjetëra amerikanë i bashkohen Al Qaedës”.

E vërteta shqetësuese është se Al Shahab ka qenë shumë më i suksesshëm në përpjekjet për të rekrutuar shtetas amerikanë, se sa që kanë qenë degët tjera të Al Qaedës nëpër botë. Thuhet se së fundi këtij grupi i janë bashkuar 40 shtetas amerikanë, krahas dhjetëra të tjerëve të cilët janë të përfshirë në aktivitete përkrahëse në territorin e SHBA-së.

Numri i anëtarëve të Al Shababit dhe rrjeti mbështetës i këtij grupi nënkupton se Al Qaeda tani është e pozicionuar më mirë që të ndërmerr sulme në territorin e SHBA-së, se sa që ka qenë gjatë dekadës së kaluar. Pjesa më e madhe e amerikanëve të rekrutuar nga Al Shabab janë somalezë, pjesëtarë të gjeneratës së parë dhe të dytë të emigrantëve, por ky grup gëzon përkrahje edhe nga personat e konvertuar në mysliman.

Konfuzioni i medieve sa i përket marrëdhënieve të Al Shababit me Al Qaedën nuk befason aspak. Nganjëherë është vështirë të definohet Al Qaeda dhe degët tjera islamike. Po sa të zgjidhet çështja e definimit, atëherë dalin në sipërfaqe problemet tjera me të dhënat. Vlerësimet për madhësinë dhe përbërjen e grupeve radikale shpesh vijnë nga burimet anonime, prandaj ekzistojnë dallime të mëdha.

Megjithatë, bashkimi i Al Shababit me Al Qaedën duhet të jetë një arsye për brengë. Sot si asnjëherë më parë ekzistojnë shumë më tepër shtetas amerikanë, të cilët e konsiderojnë vetën pjesëtarë të Al Qaedës.

Që nga themelimi i grupit para 23 viteve, rreth 25 shtetas amerikanë janë dokumentuar si pjesëtarë të Al Qaedës, organizatës që sulmoi SHBA-në më 11 shtator 2001.

Al Qaeda e sotme nuk është një entitet i vetëm, por një përmbledhje e degëve. Edhe pse secila degë është e përqendruar në një skenë të caktuar lokale, ato koordinohen dhe marrin direktiva nga kryesia qendrore e Al Qaedës. Ato janë copa të një tërësie. Dhe me bashkimin e Al Shbabit, kjo tërësi bëhet më amerikane.

Asnjë degë tjetër e Al Qaedës nuk ka arritur një sukses më të madh të rekrutimit të shtetasve amerikanë në radhët e veta, se sa Al Shabab. Për aq sa kemi njohuri, Al Qaeda në Irak dhe Al Qaeda në Magrebin Islamik, kanë shumë pak apo nuk kanë fare shtetas amerikanë në radhët e tyre.

Sa i përket numrit të amerikanëve në radhët e Al Qaedës në Gadishullin e Arabisë, e cila sot vepron kryesisht në Jemen, të dhënat ndryshojnë. Komiteti i Senatit amerikan për marrëdhënie me jashtë ka vlerësuar se rreth 30 shtetas amerikanë kanë shkuar në Jemen, për t’u trajnuar në kampet e Al Qaedës.

Nuk është e thënë që të gjithë këta rekrutë kanë qëndruar në radhët e organizatës dhe disa prej tyre janë vrarë apo arrestuar, por mund të thuhet se prej 10 deri në 20 shtetas amerikanë veprojnë në radhët e Al Qaedës në Gadishullin e Arabisë.

Al Shabab ka qenë edhe më herët i lidhur me Al Qaedën, por bashkimi i këtyre dy organizatave do të krijojë prioritete të reja, thotë ekspertja për terrorizëm, Leah Farall.

“Al Qaeda do të insistojë që Shabab të kryej operacione të jashtme”, theksoi Farrall, pas publikimit të lajmit për bashkimin e dy organizatave. Edhe përkundër faktit se Al Shabab në të kaluarën ka lavdëruar Bin Ladenin dhe ka lëshuar disa kumtesa të ashpra në lidhje me ambiciet e veta globale, kjo organizatë deri me tani nuk ka qenë aktive përtej kufijve të Somalisë.

Al Shabab mund të ketë një rrjet të përkrahjes në SHBA dhe një numër domethënës të rekrutëve amerikanë, por edhe ky grup ka problemet e veta-para se gjithash trysninë e madhe ushtarake ndaj saj në Somali, nga ana si e forcave të Unionit Afrikan, ashtu edhe nga ana e fluturakeve amerikane pa pilot.

Al Shabab mund të forcojë statusin e vet në kuadër të luftës së shenjtë, duke sulmuar shënjestra në SHBA, por nëse e bën këtë, atëherë do të rrezikojë një fushatë edhe më të ashpër kundër bazave të veta në Somali. (FP)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›