E Diel, 1 Nëntor 2026

Stabiliteti bankar, BSH-ja nesër takim me FMN-në



Tregu bankar dhe sistemi ligjor i tij do të jetë në qendër të diskutimeve gjatë një forumi 4-ditor, që do të zhvillohet në Tiranë, nga 17-21 nëntor, organizuar nga Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Departamentin Juridik pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar. Tregu bankar dhe sistemi ligjor në Shqipëri, në kushtet e krizës ekonomike, do të jetë thelbi i takimit që Departamenti Juridik pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar do të zhvillojë me Bankën e Shqipërisë. Sipas BSH-së, lektorë të përzgjedhur nga FMN që janë ekspertë të njohur të fushës, dhe do të trajtojnë nga pikëpamja ligjore krizën financiare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndikimin e saj në sistemin financiar botëror, me fokus të veçantë, aspektet juridike të mbikëqyrjes bankare. Gjithashtu, do të trajtohen dhe tema të veçanta mbi mbikëqyrjen administrative, juridike të iniciativave ligjore, produktet komplekse financiare, qeverisja e bankave në Shqipëri etj. Në forum do të marrin pjesë përfaqësues të BSH-së, juristë të bankave të nivelit të dytë që zhvillojnë aktivitet në Shqipëri, përfaqësues dhe ekspertë të institucioneve dhe agjencive publike që merren me legjislacionin bankar dhe kuadrin rregullativ, nga bankat tregtare, Agjencia e Sigurimit të Depozitave, Drejtoria e Përgjithshme e Luftës kundër Pastrimit të Parave etj. Sipas BSH-së, guvernatori Ardian Fullani do të çelë punimet e këtij takimi.

Jepet kredia për banesat sociale me qira

Kredia prej 15 milionë eurosh për ndërtimin e 1132 banesave sociale me qira në të gjithë vendin, tashmë ka marrë miratimin për t’u lëvruar nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës (CEB). Fillimisht do të përfitojnë katër bashki, ajo e Beratit, Fierit, Kavajës dhe Peshkopisë. Ndërkohë që shpërndarja e shumës së kredisë respektive do të vijojë javën që vjen edhe me dy bashkitë e tjera më të mëdha, atë të Tiranës dhe të Durrësit. Kredia do të ketë si afat shlyerje një kohë 20-vjeçare.

Ndryshon plani për financimet e huaja

Ishte parashikuar një fond prej 51 miliardë lekësh, që do të jepeshin nga donatorët. Por, në momentet e fundit, shifra ka ndryshuar, duke u reduktuar me 30 miliardë lekë. Qeveria është në dilemë përsa i takon burimit të financimit të rrugës “Rrëshen-Kalimash”. E gjithë vlera e investimeve në buxhetin 2009 llogaritet në rreth 90 miliardë lekë, ku plani ishte që rreth 51 miliardë lekë do të jepeshin kredi ose grante nga donatorët. Tashmë ky zë në buxhet është diku te 21 miliardë lekë, ndërsa qeveria është e detyruar që pjesën tjetër të investimit ta sigurojë nga burimet e brendshme.

16 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›