E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhe nuk ka më keq se sa të jesh e harruar si këto gra

Para disa ditësh, lexova rreth artikullit “10 gra, të lira për dy orë”. Me thënë të drejtën, u stepa si nga shkrimi, ashtu edhe nga nisma e marrë nga fotografja holandeze Annaleen Louëes, për të fotografuar gratë e burgut 325. Ajo ç`ka mua më bëri të reagoj, ishte fakti që fotografja holandeze kishte përshtypjen se shqiptarët nuk i tregonin ato ç`ka nuk janë të këndshme, dhe tok me ndjenjën e turpit, stepeshin përballë aparatit të një reporteri.

S`duhet harruar që Annaleen ka lindur diku tjetër, në një vend ku demokracia dhe liria e individit është primare, niveli i jetesës është në një stad tepër të lartë, ambientet dhe bukuritë natyrore të mahnitshme dhe ku kultura në mendësinë e njerëzve rritet paralel me rritjen fizike. Kjo artiste vjen nga një vend ku gabimet që njerëzit bëjnë rëndom në dritën e diellit, shqyrtohen nga psikologët e njerëzit janë kurdoherë në kërkim të së resë.

Normalisht që shqiptarët stepen nga një ekspozitë e tillë, dhe tok me stepjen do t`i shoqërojë ndjenja e turpit. Nuk është e lehtë! Në ato portrete janë fytyrat e vajzave, grave e nënave shqiptare, është ojesa më delikate e shoqërisë, është femra e dhunuar. Gjithkush e di fare mirë që çdo femër në botë s`do ta ndërronte lirinë e saj me hekurat e burgut! Të gjithë e dinë se ëndrra e çdo femre është të krijojë familjen, të rrisë fëmijën, të jetë e bukur, e pse jo, pjesë e respektuar e shoqërisë. Çdo grua ka dëshirë të jetë e famshme, por të gjithë e dinë se vetëm një përqindje tepër e vogël e ka këtë shans. E ndoshta jeta e këtyre grave u dha shansin për të bërë karrierë drejt harresës. Për shoqërinë, këto gra nuk ekzistojnë; e s`ka më keq se sa të jesh e harruar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›