E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhe për presidentin

met dervishiNga Met Dervishi

Dje presidenti i Republikës mori rolin e garantit kushtetues. Në një takim pune me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë , kryetarin e Gjykatës së Lartë, Prokurorin e Përgjithshëm etj., z. Nishani u dha zemër institucioneve të tij që të mos stepen e frikësohen gjatë fazës së tranzitimit të pushtetit nga një maxhorancë në tjetrën.

Nga ky takim pune, meqë vërtet duket të ketë qenë i tillë, së pari del që krerët e institucioneve kushtetuese duket ta kenë lexuar më mirë se presidenti i tyre votën e 23 qershorit, meqë ndjehen të frikësuar e të stepur. Këto institucione, para dhe gjatë zgjedhjeve, kanë qenë në krye të listës së institucioneve të korruptuara të sondazheve publike kombëtare e ndërkombëtare dhe vota e 23 qershorit nuk ka qenë vetëm kundër Berishës, po ka qenë dhe është dhe votë kundër tyre.

Së dyti, nga ky takim pune del që presidenti ynë e ndien veten garant kushtetues. Dhe, në pozitën e këtij garanti, i lejon vetes luksin të bëjë një replikë në distancë me kryeministrin e ri, pas disa takimeve që ky bëri me disa nga krerët e institucioneve tona kushtetuese.

Në këtë rast, presidenti ynë ose e sheh, ose bën sikur nuk e sheh handikapin që ka përballë, pra handikapin që ai vetë, së bashku me krerët e institucioneve kushtetuese është produkt i një maxhorance që u rrëzua. Parulla berishiste: Gjithë pushtetin sovjetëve e bën të qartë për këdo që jemi përballë institucioneve kushtetuese që janë produkti i një maxhorance të rrëzuar. Pra, kemi përballë një fakt që prodhohet e mund të prodhohet vetëm nga demokraci hibride si kjo e jona, për të cilën duket sikur ende presidenti ynë nuk është në dijeni. Por, në të vërtetë, dinjitoze do të kish qenë që krerët e këtyre institucioneve kushtetuese, duke ndjekur shembullin e shefit të tyre direkt, të kishin dhënë dorëheqjen e të merrnin dhe ata gjitha përgjegjësitë mbi vete.

Fakti që nuk kemi dorëheqje, por kemi krerë të trembur, në realitetin e kësaj demokracie hibride ku gjëllijmë, mund të përkthehet fare thjeshtë: këta krerë institucionesh janë një pritje që pushteti i ri tu bëjë një thirrje dhe, nga shërbëtorë të Berishës, të kthehen në shërbëtorë të Edi Ramës. Gjë për të cilën, me sa duket, presidenti ynë nuk është në dijeni. Siç nuk është në dijeni që nuk e ka tagrin për të qenë garant.

Tani të kthehemi te presidenti. Vota e 23 qershorit ka qenë dhe një votë kundër kapjes së shtetit nga pushteti, pra, nga kryeministri. Pavarësisht se si e ka emrin ky, Sali Berisha, Fatos Nano apo Edi Rama. Fakti që kemi dështuar njëzet vjet për të pasur një president që të ketë tagrin e një garanti kushtetues, siç është dhe ky që kemi, duhet të kthejë në qendër të debatit vetë Kushtetutën. Për zgjedhjen e presidentit. Opsionet që kemi provuar, ai i zgjedhjes së presidentit nga parlamenti me shumicë të cilësuar, apo ky që kemi me votat e shumicës, në të dy rastet nuk ka prodhuar institucione të pavarura. Fjala vjen, prokurorinë e Përgjithshme e kemi aq të pavarur, saqë Ina Rama, për performancën e saj, ende dhe sot e kësaj dite është jashtë sistemit, pa punë. Gjë për të cilën, me sa duket, si për të tjerat, presidenti ynë nuk duket të jetë në dijeni.

Ka mbetur një opsion, ai i zgjedhjes së presidentit nga populli. Kryeministrat e derisotshëm kanë qenë të gjithë kundër këtij presidenti. Dhe janë fshehur pas faktit që ne qenkemi Republikë Parlamentare. Por, të tilla janë të gjitha republikat e tjera rreth e më larg nesh, e megjithatë presidentin e tyre e zgjedhin nga populli. Natyrisht, që dhe ato nuk janë republika të përkryera, as presidenciale, (megjithëse Franca nuk ndjehet keq me të vetën, madje është krenare për të).

Së fundmi: Një president i zgjedhur nga populli ka më shumë shanse të jetë garant kushtetues e të prodhojë institucione të pavarura të shtetit, se sa një president i zgjedhur nga parlamenti. Ndër të tjera, z. Edi Rama është dhe përballë kësaj sfide. Do të sillet ai si kryeministrat e tjerë të derisotshëm? Pritshmëria publike ka votuar për të kundërtën. Dhe shpreson të kundërtën. Në mos do të vazhdojmë të kemi një president si ky i sotmi, i cili ende nuk është në dijeni se jetojmë/gjëllijmë në një demokraci hibride.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›