“Dhëndri i ish-kryeministrit fitoi 5 milionë dollarë”, Balla-opozitës: Pse nuk flisni për raportin e DASH

TIRANË, 17 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla deklaroi sot se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) i 21 janarit 2025 evidenton dhëndrin e një ish-kryeministri (Sali Berishës), si shembull i pastrimit të parave, që ka fituar 5 milionë dollarë.
Duke folur në seancë plenare, Balla u shpreh se opozita nuk ka thënë asnjë fjalë për këtë raport.
“Përmenda administratën e re Trump. Nuk e di pse jeni sot si pula të lagura se ju nuk lini raport të DASH pa përmendur. Si ka mundësi që këtë raportin e ditëve të para të vitit 2025 mbi pastrimin e parave, flas për raportin vjetor të DASH, nuk dëgjova që ta përmendnit. Sepse raporti është zyrtar prej datës 21 janar në zyrat e DASH. Janë drejtuesit e rinj duke përfshirë këtu edhe një mik të mirë të Shqipërisë, si Marko Rubio. Nuk ju dëgjova ta citonit raportin që flet qartazi për dhëndrin e një ish-kryeministri si shembull i pastrimit të parave që kishte fituar 5 milionë dollarë dhe pastaj të vinit këtu dhe të bënit skenat me një deputet që kishte marrë në shtëpi fustanin e gruas për ta sjellë në parlament”, iu drejtua Balla deputetëve të opozitës.
Balla theksoi se ka marrë përsipër baltën që duhet t’i vijë për shkak të atij kallëzimi që ka bërë.
“Merrni raportin e DASH. Më ka akuzuar i pari juaj se unë kam bërë një kallëzim të rremë. Kallëzimin tim të rremë paska marrë DASH dhe e paska sjellë si shembull të pastrimit të parave dhe përdorimit të zyrës. DASH thotë: ‘S.B. i sanksionuar nga SHBA për korrupsion sipas parashikimeve të nenit 703. 7031 pika C…, pasi dhëndri i tij përfitoi 5 milionë dollarë”, shtoi Balla.
Balla theksoi se ky është një standard në politikë që kallëzimeve duhet t’i vëmë emër dhe t’i marrim përsipër, jo të fshihemi pas emrave që nuk ekzistojnë.
“Ky do të jetë një standard, por ju nuk lini hapësirë për të dyshuar. Ju e thoni vetë. Ajo që ndodhi sot kur kandidati për kryeministër i asaj që ka ngelur nga PD del dhe thotë: ‘Unë do ta shkrij këtë strukturën e posaçme’, që po e heton, sipas SHBA-së, për pastrim parash dhe korrupsion, faleminderit shumë, shyqyr që ju kemi”, shtoi Balla.
/r.e/a.f/