Dhjetë minuta me Beethoven
Violinistja e konservatorit "Çajkovski" sot në koncert tek Artet
Violinistja Elena Korzhenevich ka udhëtuar nga Rusia për të interpretuar me Orkestrën Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar, një romancë të Beethovenit, e cila nuk zgjat më shumë se 10 minuta. Studentja e Konservatorit të Muzikës "Tchaikovsky" në Moskë vjen për herë të parë në Shqipëri dhe po për herë të parë ekzekuton këtë pjesë.
Koha që ka pasur në dispozicion për të mësuar pjesën, që do të luajë me orkestrën e RTSH-së ka qenë shumë e vogël. Vetëm një jave punë individuale dhe dy ditë prova në Shqipëri, mund të cilin do ta tregojë sot në orën 19:00 në sallën e Akademisë së Arteve.
"Romanca që unë luaj nuk është e vështirë dhe orkestra u përgjigj shumë mirë. Më ka bërë përshtypje mobilizimi i instrumentistëve, të cilët janë përpjekur të japin maksimumin",- thotë ajo, ndërsa shton se nuk njeh asnjë kompozitor shqiptar.
Ftesën për të dhënë koncert në Shqipëri e ka pranuar jo për ndonjë arsye të veçantë, po për faktin se nuk refuzon asnjë ftesë.
Ndonëse është studente tregon se largimi i herëpashershëm nga Konservatori, për të dhënë koncerte nuk i krijon probleme, përkundrazi, është pjesë e praktikës së shkollës.
21-vjeçarja nuk kishte dëgjuar asnjëherë më parë për Shqipërinë deri në momentin kur nga ky vend i erdhi ftesa për koncert. Korzhenevich tregon se pasi ka marrë ftesën i është drejtuar internetit për të mësuar së paku emrin e vendit ku kishte pranuar të luante në një koncert.