E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Do të kontrollojmë rritjen e çmimit të energjisë

TIRANË - Privatizuesi i OSSH-së nuk do të lejohet që ta rrisë çmimin e energjisë më shumë se ç'është parashikuar në kontratë. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, siguroi edhe njëherë se, qeveria zotëron të gjitha instrumentet për të mbrojtur konsumatorin, pavarësisht privatizimit të OSSH-së.

"Shteti, në finale, nuk i humbet të gjithë instrumentet për të ndikuar në tregun e energjisë elektrike apo në çmimin e energjisë elektrike.

Në periudha të caktuara, për arsye ekonomike apo sociale, shteti mund të vendosë të mos ketë rritje të menjëhershme apo shumë të lartë të energjisë elektrike", - tha ministri Ruli, duke paralajmëruar se, edhe në rast të rritjes së çmimit të energjisë, qeveria parashikon subvencionimin e saj për shtresat në nevojë.

Duke e konsideruar privatizimin si të suksesshëm, Ruli deklaroi se, arritja e parë edhe më e prekshme nga qytetarët, është furnizimi i tyre me energji pa ndërprerje. Pas privatizimit të OSSH-së, qeveria kaloi në llogari të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, një borxh prej 60 milionë eurosh.

Këtë të fundit, Ruli e justifikoi me faktin se, ky ishte një borxh i akumuluar nga vetë KESH-i, për importin e energjisë elektrike gjatë vitit 2008.

Sipas tij, ky borxh është shkaktuar për shkak se, KESH-i nuk e pasqyroi në çmim shtrenjtimin e energjisë në tregjet ndërkombëtare, gjatë kësaj periudhe. "Këtë kusht e kemi pasur në dokumentet e tenderit, për shkak të blerjeve më të mëdha se planifikimi që bëmë në vitin 2008, dhe si pasojë e çmimeve të larta që ka pasur tregu ndërkombëtar i energjisë",- tha ai, duke shtuar se, për këtë periudhë, janë blerë mbi 2 miliardë kilovat orë energji elektrike.

Krahas çmimit prej 102 milionë eurosh, për 76 për qind të aksioneve të OSSH-së, privatizuesi do të shlyejë edhe borxhet e saj që nga fillimviti 2008, kur filluan edhe procedurat e privatizimit.

Po ashtu, për të arritur synimin e uljes së humbjeve deri në 17 për qind brenda 5 viteve dhe rritjen e arkëtimeve sipas kushteve të vendosura nga qeveria shqiptare, CEZ-i ka parashikuar investimin e 250 milionë eurove, në një periudhe 5-vjeçare, në rrjetin elektrik të shpërndarjes. E. Senja


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›