Ura rrezikon të shembet, mjetet e rënda vijojnë kalimin
SHKODËR - Ura e Skarramanes në komunën Hajmel të rrethit Shkodër është duke u shembur.
Por ndërsa nga Drejtoria e Rrugëve Rurale është kërkuar bllokimi i lëvizjes së mjeteve të tonazhit të rëndë mbi këtë urë, kjo nuk ka ndodhur pasi mjetet e rënda të firmave që po punojnë për shtrirjen e linjës së interkonjuksionit Elbasan-Tiranë-Podgoricë, kanë larguar bllokimet dhe lëvizin mbi urë.
Sipas drejtorit të ndërmarrjes së rrugëve rurale, Gjovalin Kodra, kjo urë rrezikon shembjen dhe që më 05 shkurt është kërkuar moslejimi i qarkullimit mbi të i mjeteve të tonazhit të rëndë deri në rikonstruksionin e saj.
Por deri tani asnjë nga organet kompetente nuk ka reaguar dhe pavarësisht se kjo ndërmarrje ka vendosur edhe tabelat që sinjalizojnë ndalimin e qarkullimit, ato jo vetëm nuk janë respektuar, por edhe janë hequr.
Më e keqja është se mbi urën e ndërtuar nga austriakët në fillim të shekullit të kaluar kalojnë mjete të tonazhit të rëndë të firmës së kontraktuar për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Elbasan-Podgoricë.
Për këtë është vënë në dijeni edhe qarku e prefektura e Shkodrës, por, sipas banorëve, drejtuesit e mjeteve të rënda i kanë larguar barrikadat e vendosura në të dyja anët e urës në mënyrë që mjetet të mos kalonin në të.
"Kalonim vetëm me kafshë, biçikleta dhe motoçikleta, por barrikadat u hoqën dhe tani kalojnë lirisht automjetet e rënda. Ura është e çarë dhe rrezikon shembjen dhe po ndodhi kjo, për ne është katastrofë, pasi nuk kemi nga të kalojmë dhe ndërpritet komunikimi me Shkodrën e Lezhën," -shprehen banorët e Hajmelit.
Ura e Skarramanes është ndërtuar në kohën e pushtimit austro-hungarez. Përveç disa riparimeve, në këtë urë shumë të amortizuar nuk është ndërhyrë për rikonstruksionin e plotë të saj. A.Dushi