E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhjetëra policë të plagosur në protestën e opozitës, Lamallari: Shkelje flagrante e tubimit paqësor, akte kriminale të papranueshme

Dhjetëra efektivë policie u plagosën mbrëmjen e djeshme gjatë protestës kombëtare të organizuar nga opozita. Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, teksa ka shpërndarë në rrjetin social Facebook pamje nga protesta e cila u shoqërua me tensione dhe hedhje molotovësh drejt Kryeministrisë dhe Parlamentit, ndërsa ka dënuar aktet e dhunës ndaj forcave të rendit.

Ministri thekson se efektivët, përveç përkushtimit të përditshëm për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, u detyruan të përballen me akte të rënda dhune, duke treguar vetëpërmbajtje maksimale edhe në kushte rreziku për jetën e tyre. Sipas tij, sulmet me mjete ndezëse dhe akte të tjera të dhunshme përbëjnë një shkelje flagrante të ligjit dhe cenojnë të drejtën legjitime për tubim paqësor, e cila duhet të ushtrohet pa cënuar sigurinë e të tjerëve dhe institucionet demokratike.

Lamallari shprehu solidaritet me familjarët e efektivëve të lënduar, ndërsa shtoi se aktet e dhunës nuk i shërbejnë as dialogut politik dhe as interesit publik, duke bërë thirrje për respektim të ligjit dhe distancim nga çdo formë ekstremizmi apo nxitjeje kriminale.

“Mirënjohje për punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët për fat të keq, krahas mundimit të përditshëm për të ofruar më shumë siguri për qytetarët, u duhet të përballen me vetëpërmbajtje duke rrezikuar edhe jetën nga akte të tilla kriminale, të cilat janë një shkelje flagrante dhe e dënueshme e të drejtës legjitime për tubim paqësor.

Solidaritet me familjarët e punonjësve të lënduar dhe me të gjithë ata që kanë ndjekur me ankth përmes medias se si prindërit, bijtë, bashkëshortët dhe vëllezërit e tyre rrezikuan jetën nga një sulm i nxitur dhe i organizuar kriminal”, shkruan ministri.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›