E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrja Koçiu pas dhunës në protestë: Kush sulmon Policinë do të përballet me ligjin. Keqpërdorimi i të miturve për të kryer akte dhune është vepër penale

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, reagoi lidhur me aktet e dhunshme që shoqëruan protestën e opozitës mbrëmjen e 10 shkurtit, ku 16 efektivë të Policisë së Shtetit mbetën të plagosur si pasojë e hedhjes së molotovëve dhe shisheve me benzinë në drejtim të Kryeministrisë dhe Kuvendit.

Në një deklaratë për mediat, Koçiu theksoi se e drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna ndaj institucioneve dhe forcave të rendit është e papranueshme dhe e dënueshme me ligj. Ajo shprehu solidaritet me efektivët e plagosur dhe vlerësoi profesionalizmin dhe vetëpërmbajtjen e treguar nga Policia gjatë përballjes me situatën.

“E drejta për të protestuar është e paprekshme, por dhuna është e pafalshme.  Kush sulmon uniformën e Policisë së Shtetit dhe tenton të destabilizojë rendin kushtetues, do të përballet me ligjin përtej çdo alibie politike. 

Jemi në krah të çdo punonjësi policie që shërben me profesionalizëm dhe vetëpërmbajtje edhe përballë një proteste të dhunshme, si dhe në mbrojtje të së drejtës për të protestuar të çdo qytetari që zgjedh demokracinë, jo dhunën”, deklaroi ministrja.

Ministrja dënoi gjithashtu përdorimin e të miturve në aktet e dhunës, duke e cilësuar këtë si një vepër penale dhe një shkelje të rëndë morale.

“Keqpërdorimi i të miturve për të kryer akte dhune është vepër penale, por është gjithashtu një shkelje e rëndë morale. E këtu një rol të posaçëm mund dhe duhet të luajnë institucionet, shoqëria civile dhe vetë familja, për t’i mbrojtur këta ta mitur nga përdorimi dhe instrumentalizimi me qëllime të errëta të politikës kriminale.  

Është pikërisht kjo arsyeja, përse protestat e Partisë Demokratike janë braktisur masivisht nga qytetarët. Duke përfunduar tek një grusht militantësh, apo elementë të paguar për të krijuar skenarë imagjinarë të një revolte popullore. Kjo është e papranueshme”, theksoi Koçiu, duke apeluar që institucionet, shoqëria civile dhe familjet të angazhohen për mbrojtjen e tyre nga instrumentalizimi politik.

Në deklaratën e saj, ajo akuzoi organizatorët e protestës për tentativa destabilizuese dhe theksoi se autorët e akteve të dhunshme do të ndëshkohen maksimalisht.

“Ndaj, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk do të qëndrojnë duarkryq. Autorët e këtyre akteve barbare do të ndëshkohen maksimalisht, sipas ligjit.

U bëj thirrje organeve të drejtësisë, t’i trajtojnë me përgjegjësinë maksimale dhe ligjore këto sulme barbare ndaj uniformës, pas të cilave qëndrojnë padyshim urdhëruesit e fshehur pas imunitetit, nën drejtimin e Sali Berishës; një dhunues përsëritës i sulmeve ndaj institucioneve dhe rendit kushtetues.   

Personat përgjegjës, duhet të kuptojnë se nuk kanë asnjë mburojë politike mbi kokën e tyre. Kush tenton të vrasë policin, kush tenton të djegë institucionet, nuk merr as çmimin si terroristi më i mirë, as mirënjohjen e partisë së tij, por shkon në burg dhe merr ndëshkimin e parashikuar nga ligji”, u shpreh ajo.

Koçiu i bëri thirrje organeve të drejtësisë që të trajtojnë me përgjegjësi maksimale sulmet ndaj Policisë, duke shtuar se askush nuk do të ketë mburojë politike përballë ligjit.

Në përfundim, ministrja garantoi mbështetje për punonjësit e Policisë së Shtetit, gazetarët dhe qytetarët që ushtrojnë të drejtën e tubimit në mënyrë paqësore, duke theksuar se nuk do të ketë asnjë tërheqje përballë akteve kriminale.

“Vetëpërmbajtja e forcave të rendit, në kushtet më ekstreme, është një garanci e jashtëzakonshme për të gjithë qytetarët e ndershëm, që pavarësisht bindjeve të tyre politike, janë të bashkuar në dëshirën për të mos parë dhunë e aq më pak, ripërsëritjen e ngjarjeve të mbrapshta përpara syve të tyre.

Nuk ka asnjë tërheqje përballë akteve kriminale, të një minorance të dhunshme me maska, që fshehin fytyrën, por nuk mbulojnë dot qëllimin e tyre.

Do të jemi përherë në krah të punonjësve me uniformë, gazetarëve dhe njerëzve të medias në krye të detyrës, dhe të gjithë atyre, që e ushtrojnë të drejtën kushtetuese të tubimit, në respekt të ligjit dhe bashkëjetesës në një shoqëri demokratike”, përfundoi ajo.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›