E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e PD, Berisha: Kryengritje paqësore, Rama kishte përgatitur skenarin e gjakderdhjes ndaj protestuesve

Kredemokrati Sali Berisha ka deklaruar se protesta e 10 shkurtit do të mbahet mend si ngjarja më e rëndësishme e kryengritjes paqësore të shqiptarëve në çlirimin e vendit.

Ai e cilëson protestën e djeshme ku 16 efektivë policie mbetën të plagosur prej molotovëve e shisheve të benzinës që u hodhën drejt Kryeministrisë dhe Kuvendit, si kryengritje paqësore, që sipas tij “i zbardhi faqen Shqipërisë” dhe “shënoi një kapitull të ri për vendin”.

“Dje me kryengritjen e tyre paqësore i zbardhën faqen Shqipërisë, shënuan një kapitull të ri në kryengritjen paqësore të popullit shqiptar kundër narko-regjimit të Edi Ramës.

Pas 20 shkurtit të 1991, 10 shkurti i 2026-ës do të shënohet në analet e përpjekje të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar dhe njerëzor, si ngjarje më e rëndësishme si faqja më e ndritur, e kryengritjes paqësore të shqiptarëve për çlirimin nga diktatura autoritare. Një mirënjohje dhe nderim të pakufishëm burrave e grave, djemve e vajzave që dje rikthyen besimin e shqiptarëve në triumfin e tyre, fitoren e tyre mbi narko-shtetin”, deklaroi Berisha, teksa shton se Shqipëria sot, nuk është më ajo e djeshmja, dhe kjo sipas tij është meritë e qytetarëve shqiptarë.

Ai e konsideroi si antiligjore reagimin e efektivëve ndaj protestuesve që sikurse i cilëson ai, ishin paqësorë.

“Shqipëria është tjetër sot, nuk është më ajo e një dite me parë dhe kjo meritë e njerëzve të sakrificës, idealeve e të gatshëm që përballen për të mbrojtur vlerat më të çmuara të njeriut

Detyrimi ndaj tyre është i pakufishëm.

Protesta e djeshme, bindni çdo shqiptar se fitorja mbi narko-regjimin është e sigurt.

Por nëse kjo ishte madhështia e qytetarëve, revoltës së tyre, kryengritjes së tyre paqësore, i shëmtuar, antiligjor, antikushtetues ishte reagimi i narko-qeverisë ndaj protestuesve paqësorë”, shprehet më tej kryedemokrati.

Berisha akuzon qeverinë dhe Kryeministrin Rama për përgatitjen e një skenari gjakderdhje ndaj protestuesve.

“Të tmerruar nga qëndrueshmëria e protestuesve, Edi Rama kishte përgatitu skenarin e gjakderdhjes, kishte përgatitur ekzekutimin e protestuesve paqësor në shesh për këtë qëllim ai kishte venë në komandë, kriminelin Sokol Bizhga”, përfundon kryedemokrati Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›