E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Dhjetor magjik festash në Tiranë, sheshi “Skënderbej” destinacioni i qindra qytetarëve dhe turistëve

TIRANË, 28 dhjetor /ATSH/-Atmosfera festive e fundvitit ndjehet në çdo rrugë dhe shesh të kryeqytetit shqiptar ku dekori me drita dhe zbukurimet e shumta kanë krijuar një ambient magjik dhe ndjesi të veçantë për të gjithë qytetarët dhe turistët.

Teksa dhjetori magjik po i afrohet ditëve të fundit, për të mbyllur fletët e kapitullit 2024 dhe për të mirëpritur 2025-ën, epiqendër e festimeve, sikurse çdo vit është sheshi “Skënderbej”, një nga vendet më të vizituara në Tiranë.

Kjo mini-qytezë festash me shtëpitë prej druri, kthyer tashmë në një traditë nga Bashkia e Tiranës, e kanë shndërruar kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve në një kartolinë magjike dhe të bukur festive duke dhuruar momente dhe kujtime të paharrueshme për çdo grupmoshë.

Në sheshin “Skënderbej” gjatë gjithë ditës dhe deri në orët e vona të mbrëmjes, gjen qindra qytetarë, mes tyre qytetarë nga Kosova, por edhe turistë të shumtë duke e kthyer kryeqytetin në destinacion kryesor në këtë dhjetor magjik festash.

Aktivitetet dhe lojërat për të vegjlit, evente të ndryshme kulturore, performanca nga grupet artistike të fëmijëve, koncerte nga emra të njohur të skenës muzikore, gatime tradicionale, stenda me punime artizanale dhe ato me motive shqiptare, i mirëpresin të gjithë në sheshin kryesor të kryeqytetit shqiptar.

Në sheshin “Skënderbej”, koncertet do të vazhdojnë deri në datë 29 dhjetor ku pritet të ngjiten në skenë edhe një sërë emrash të njohur të skenës muzikore në vend, si Arjola Toska, Eli Fara, Sinan Hoxha e plot performanca të tjera nga grupet artistike të fëmijëve.

Në Tiranën si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut në vitin 2025, atmosfera festive do të vijojë deri në ditët e para të janarit për të sjellë më shumë magji për të gjithë qytetarët.

Atmosferë festive në sheshin “Skënderbej”, Foto; Florian Abazaj/Agim Dobi 1 nga 34

/a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›