Siguria rrugore, Policia: Stop shpejtësisë fluturuese para se aksidenti t’ju ndalojë juve

TIRANË, 28 dhjetor /ATSH/ Policia e Shtetit ka bërë apel për kujdes maksimal në drejtimin e automjeteve, duke theksuar rrezikun që sjell shpejtësia e lartë në rrugë.
Në një postim në rrjetet sociale, Policia njoftoi se gjatë kontrolleve në aksin rrugor Peqin-Elbasan, ku shpejtësia e lejuar është 80 km/h, janë konstatuar automjete që lëviznin me shpejtësi nga 198 km/h deri në 202 km/h. Ky fenomen, thekson Policia, rrezikon seriozisht jetën e përdoruesve të rrugës.
Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore ka ndaluar dhe ndëshkuar drejtuesit e mjeteve me masa maksimale, duke aplikuar gjithashtu zbritjen e deri në 8 pikë nga leja e drejtimit.
Policia Rrugore përsërit apelin për respektimin rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor dhe thekson rëndësinë e parandalimit të aksidenteve.
“Stop shpejtësisë fluturuese para se aksidenti t’ju ndalojë juve. Kujtoni gjithmonë: Qarkullojmë më ngadalë për të jetuar më gjatë. Drejto automjetin duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor – familja po të pret në shtëpi,” thuhet në mesazh.
Sipas njoftimit, të gjitha akset rrugore nacionale dhe qendrat urbane monitorohen vazhdimisht me mjete inteligjente nga Njësia Operacionale dhe Policia Rrugore vendore. /a.f/