Dhoma Amerikane kërkon zgjidhje për praktikat pezull në Dogana

Presidenti i Dhomës Amerikane, Enio Jaço i kërkoi sot Drejtorisë së Doganave zgjidhje për disa problematika që prej vitesh nuk ndryshojnë dhe vijojnë të krijojnë padrejtësi për biznesin.
Presidenti Jaço mori pjesë në forumin e përvitshëm të organizuar nga AmCham me Drejtorinë e Doganave. Ai u ndal konkretisht tek çmimet e referencës, që i konsideroi një praktikë të padrejtë, e cila është denoncuar jo vetëm nga komuniteti i biznesit të AmCham por edhe kritikuar nga institucionet ndërkombëtare.
Jaço tërhoqi gjithashtu vëmendjen përsa i përket politikave të reja mbështetëse që duhet të ndërmerren për lehtësimin dhe zhvillimin e tregtisë digjitale (e-commerce). Presidenti i Dhomës Amerikane i kërkoi Drejtuesit të Doganave që të dy të angazhoheshin personalisht për të zgjidhur përfundimisht të paktën një nga problematikat e përsëritura.