Dhoma e Avokatisë Durrës bojkoton seancat gjyqësore: Avokatët po lihen jashtë ambienteve të gjykatës

Dhoma e Avokatisë Durrës ka marrë vendimin për bojkotimin e të gjitha seancave gjyqësore, përveç atyre për masat e sigurimit dhe zëvendësimin e shuarjen e tyre. Vendimi erdhi pasi pretendojnë se avokatët nuk lejohen të futen në ambientet e gjykatës.
“Pas ezaurimit të gjitha mundësive për zgjidhjen e problemit së lënies së Avokatëve jashtë ambienteve të Gjykatës Shkallës Parë Juridiksioni i Përgjithshëm Dunës, si dhe mbledhjes së jashtëzakonshme të anëtareve të Dhomës së Avokatisë Durrës, Kryesisë së Dhomës dhe Komitetit Drejtues, Dhoma e Avokatisë Durrës ka marrë vendimin për: Bojkotimin e të gjitha seancave gjyqësore civile dhe penale. Përjashtim nga ka ky bojkotim bëjnë pjesë vetëm seancat gjyqësore për masat e sigurimit, zëvendësimin dhe shuarjen e tyre”, thuhet në vendim.
Bojkoti do të fillojë të hënën (3 qershor) dhe do të vazhdojë deri më 7 qershor, periudhë gjatë së cilës Dhoma e Avokatisë Durrës pritet të dalë me një vendim të ri.
Për të gjithë avokatët që do të shkelin vendimin dhe do të marrin pjesë në seancat gjyqësore, Dhoma e Avokatisë Durrës njofton se Komiteti i Disiplinës do filloj procedim administrativ ndaj tyre.
/rtsh.al/