Komisioni antikorrupsion, SHBA e BE këmbëngulin në nevojën e një procesi gjithëpërfshirës

Ambasada amerikane dhe Delegacioni i Bashkimit Europian në vendin tonë këmbëngulin që nisma e qeverise për të luftuar korrupsionin, me ngritjen e një komisioni të posaçëm, të jetë gjithëpërfshirës.
Në një reagim për Zërin e Amerikës, ambasada amerikane dhe Delegacioni i Bashkimit Europian ne vendin tonë këmbëngulin në nevojën e gjithëpërfshirjes në procesin përmes së cilit, shumica socialiste e kryeministrit Edi Rama, synon realizimin e një cikli të ri reformash që do të duhet të trajtojnë problemet e mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe luftës ndaj korrupsionit.
Dy përfaqësitë kryesore diplomatike në Tiranë, komentuan për Zërin e Amerikës hapat e hedhur në parlament për këtë nismë, ku brenda katër ditësh u miratua rezoluta e më pas dhe ngritja e një komisioni të posaçëm. Ambasada amerikane “vëren nxitimin me të cilin u kaluan në parlament rezoluta dhe vendimi”. Ndërsa Delegacioni i BE-së nga ana e tij, vë në dukje faktin që ngritja e komisionit u bë “pa mbështetjen e opozitës”. Kjo e fundit ka shprehur skepticizëm të hapur ndaj kësaj nisme dhe në të dy rastet zgjodhi të bojkotojë votimin e tyre në parlament. Ambasada amerikane ashtu dhe Delegacioni i BE-së, t’i mëshojnë me forcë këtij momenti. “Besojmë se procesi i propozuar kërkon një diskutim të bashkërenduar, gjithëpërfshirës me të gjithë aktorët, çka është kyç për suksesin e punës se komisionit të posaçëm”, shprehet ambasada amerikane duke vënë në dukje se diçka e tillë do të jetë po ashtu “kyçe dhe për mbështetjen tonë për të”.
Sipas përfaqësisë europiane “është me rëndësi jetike që procesi parlamentar i propozuar të jetë i bazuar në prova, të jetë transparent, të gëzojë mbështetje të fortë ndërpartiake dhe të mbështetet në një konsultim gjithëpërfshirës dhe kuptimplotë me të gjitha institucionet dhe palët e interesuara, duke përfshirë edhe shoqërinë civile”.
Debatet që kanë shoqëruar nismën e socialistëve kanë ushqyer shqetësime për ndërhyrje të mundshme në reformën në Drejtësi, e cila pati SHBA-të dhe BE-në si sponsorët e saj të fuqishëm. Në dokumentet e miratuara socialistët zotohen të garantojnë “pakthyeshmërinë” e kësaj reforme. E megjithatë, ambasada amerikane në komentet e saj për Zërin e Amerikës shprehet se “theksojmë angazhimet e ndërmarra brenda masave të miratuara në parlament për pakthyeshmërinë e reformës në drejtësi, angazhime të cilat njohin shtyllat dhe parimet kushtetuese që janë në themel të reformës në drejtësi të miratuar në vitin 2016. Kjo përfshin pavarësinë dhe paanësinë e institucioneve të drejtësisë dhe vetëqeverisjes së sistemit të drejtësisë. Këto parime janë kyçe për punën e komisionit të posaçëm për të çuar përpara mirëqeverisjen, luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit”. Edhe Delegacioni i BE-së vë në dukje se “parimi kryesor duhet të jetë pakthyeshmëria e reformës në drejtësi të vitit 2016”.
Mbetet për t’u parë nëse shumica do të përpiqet të tërheqë në këtë proces opozitën, e cila duhet të përfaqësohet me 5 nga 11 anëtarët e komisionit, apo do të vijojë e vetme për ta çuar përpara nismën e saj.
/rtsh.al/