E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dënon dhunën ndaj bizneseve: Shkatërrimi i pronës private, precedent penal

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, dënoi dëmtimet e pronës private dhe bizneseve gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, duke theksuar se e drejta për të protestuar nuk duhet të shoqërohet me akte dhune.

Protestuesit i vunë flakën dje ndërtesës së Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, si edhe shkaktuan dëme në biznese të tjera dhe prona private në zonë.

Gjatë një konference për shtyp ditën e sotme, Jaka u shpreh se protesta është një mënyrë përmes së cilës qytetarët shprehin pakënaqësitë e tyre, por vuri në pikëpyetje përdorimin e dhunës si mjet për arritjen e qëllimeve.

“Protesta është ndoshta i vetmi zë qytetar, por a është ky mjeti për ta arritur këtë qëllim, kjo mbetet për t’u parë. Shkatërrimi i pronave private, precedent penal”, u shpreh Jaka.

Dëmtimet e shkaktuara gjatë tubimit kanë rikthyer vëmendjen te pasojat që aktet e dhunës sjellin për bizneset, aktivitetin ekonomik dhe sigurinë e pronës private.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë thekson rëndësinë e ushtrimit të së drejtës për protestë në mënyrë paqësore, pa cenuar pronën private dhe veprimtarinë e bizneseve.

/e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›