E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhoma e Tregtisë propozon uljen e TVSH-së për agropërpunimin në 5-7% dhe lehtësi fiskale për prodhuesit

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ Ulja e TVSH-së për agropërpunimin në 5-7%, përjashtimi nga tarifat doganore për lëndët e para të industrisë prodhuese dhe rritja e amortizimit fiskal për makineritë nga 20% në 40% janë disa nga propozimet e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë për Paketën Fiskale 2027.

Propozimet i janë paraqitur ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj dhe ministrit të Financave, Petrit Malaj, me synim lehtësimin e barrës fiskale për bizneset, nxitjen e investimeve, mbështetjen e eksporteve dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.

Në dokumentin e nënshkruar nga kryetari i Dhomës, Nikolin Jaka, theksohet se masat e propozuara synojnë krijimin e një politike fiskale që mbështet prodhimin, nxit punësimin dhe ndihmon sipërmarrjen shqiptare të përmbushë standardet e Bashkimit Europian.

Në fushën e tatimeve mbi konsumin, Dhoma kërkon uljen e TVSH-së për industritë prodhuese dhe aplikimin e një norme prej 5-7% për sektorin e agropërpunimit. Gjithashtu, propozohet përfshirja në skemën e TVSH-së e të gjithë operatorëve që merren me grumbullimin dhe përpunimin e qumështit, pavarësisht xhiros vjetore.

Një tjetër masë e propozuar është aplikimi i TVSH-së zero për fertilizantët organikë të prodhuar në vend nga riciklimi i mbetjeve shtazore dhe vegjetale, për të nxitur bujqësinë organike, mbrojtjen e mjedisit dhe zëvendësimin e importeve.

Për mbështetjen e industrisë prodhuese dhe eksportuesve, Dhoma kërkon përjashtimin nga tarifat doganore të lëndëve të para, rimbursimin e tarifave për lëndët e para dhe ndihmëse të blera në tregun vendas, si dhe pezullimin e parapagimit të TVSH-së në doganë për importet e lëndëve të para që përdoren në prodhim.

Në paketën e propozimeve përfshihen edhe përjashtimi nga TVSH-ja i makinerive të importuara për investime në sektorin e energjisë dhe industrinë prodhuese, rimbursimi i akcizës për gazin dhe lëndët djegëse, pagesa e taksës së infrastrukturës në tre këste dhe rishikimi i taksës së pasurisë për ndërmarrjet prodhuese.

Dhoma propozon gjithashtu rritjen e normës së amortizimit fiskal nga 20% në 40% për makineritë dhe pajisjet e investuara në industrinë prodhuese. Sipas dokumentit, amortizimi i përshpejtuar do të ndihmonte bizneset të rikuperonin më shpejt investimet dhe do të nxiste modernizimin teknologjik, automatizimin dhe rritjen e produktivitetit.

Një pjesë e veçantë e propozimeve lidhet me mbështetjen fiskale dhe financiare për përmbushjen e standardeve të BE-së, veçanërisht në mbrojtjen e mjedisit, sigurinë ushqimore, higjienën dhe standardet teknike.

Për këtë qëllim, Dhoma kërkon lehtësira fiskale për investimet që lidhen me përmbushjen e standardeve europiane, skema subvencionimi dhe kredi të buta për modernizimin teknologjik, si dhe grante të drejtpërdrejta për industrinë agropërpunuese.

Në dokument propozohet edhe krijimi i mekanizmave fiskalë stimulues për kërkimin shkencor dhe inovacionin, përmes lehtësirave tatimore për shpenzimet në kërkim dhe zhvillim teknologjik, zbritjeve fiskale shtesë për investimet në inovacion dhe lehtësive për importin e pajisjeve kërkimore, programeve kompjuterike dhe patentave.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm me qeverinë për shqyrtimin e propozimeve, duke vlerësuar se një kuadër fiskal i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm do të ndihmonte në përmirësimin e klimës së biznesit dhe në përafrimin e ekonomisë shqiptare me standardet europiane.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›