Bashkia e Tiranës zhbllokon fondin e komunitetit, pensionistët dhe familjet në nevojë përfitojnë 100% rimbursim

TIRANË, 9 tetor/ATSH/ Bashkia e Tiranës ka riaktivizuar ndihmat dhe ka zhbllokuar procedurat për fondin e komunitetit në kryeqytet.
Kështu, të gjithë projektet e mbetura pezull në muajt e fundit, kanë marrë dritën jeshile, duke bërë që t’i jepet zgjidhje kërkesave të qytetarëve të Tiranës.
Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile dhe Shërbimeve ndaj Qytetarit në bashkinë e Tiranës, Dritan Dango zhvilloi disa takime me administratorë pallatesh në kryeqytet, ndërsa dha lajmin se këtë vit në fondin e komunitetit ka një risi, ku të të gjithë ato familje, ato pallate të cilat kanë depozitat në katet e fundit të pallateve dhe duhet t’i zhvendosin në katin e parë me një depozitë të përbashkët, bashkia e Tiranës do të rimbursojë 50% për banorët, dhe 100% për pensionistët dhe familjet në nevojë.
“Fondi i komunitetit është një ndër programet më të kërkuara në bashkinë e Tiranës. Ne këto 10 vite, buxheti është shtuar vit për vit. Siç dihet me fondin e komunitetit, ne si bashki e Tiranës rimbursojmë vendosjen e ashensorit që është një ndër kërkesat më të kërkuara, ku të gjithë banorët e pallateve të cilët nuk kanë një ashensor mund të aplikojnë në Bashkinë Tiranë dhe përfitojnë 50% të rimbursimit nga bashkia e Tiranës por të mos harrojmë që kemi edhe pensionistët dhe familjet të cilët marrin ndihmë ekonomike, ku Bashkia ua paguan 100% fondin e komunitetit”, nënvizoi Dango.
Programi synon të ndihmojë komunitetet e banorëve në financimin e ndërhyrjeve që lidhen me përmirësimin e godinave dhe hapësirave të përbashkëta, duke përfshirë instalimin e ashensorëve, izolimin e tarracave dhe termoizolimin e fasadave.
Bashkia e Tiranës u bën thirrje banorëve që kanë nevojë për ndërhyrje të tilla në hapësirat e tyre të përbashkëta, të riaplikojnë për fondin e komunitetit
Ky fond nga ana e bashkisë së kryeqytetit mbulon 50% të kostos së përcaktuar për ndërhyrje të tilla si instalimi i një ashensori, izolimi i tarracës apo vendosja e sistemit kapot.
Mbështetja është edhe më e madhe për kategoritë sociale. Për pensionistët dhe familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, bashkia parashikon mbulimin e 100% të kostos.
Në këtë mënyrë, programi synon të bëjë të mundur realizimin e investimeve edhe në pallatet ku një pjesë e familjeve mund ta kenë të vështirë të përballojnë financiarisht ndërhyrjet.
1 nga 4/k.s/a.f/