Dhoma e vogel ne ditet e frankofonise

Si e përballon zinë një nënë e re që ka humbur fëmijën? Po një tetëdhjetëvjeçar që jeton i braktisur nga i biri? Fenomene sa psikologjike dhe sociale në Zvicrën e sotme që filmi dramatik “Dhoma e vogël” i trajton me delikatesë
Natyra e bukur dhe dielli që ngroh janë një përrallë pa efekt për një burrë në perëndim të moshës dhe një grua të re në zi, personazhe të filmit “Dhoma e vogël”, një dramë franko-zvicerane e shfaqur mbrëmë në Kinema Imperial në ditët e Pranverës Franceze.
Edmondi 80-vjeçar vuan nga diabeti dhe refuzon qendrën sociale ku e çon i biri, një biznesmen gjithmonë në udhëtim.
Derisa ndodh që një infermiere e re t’i kujtojë diçka që ai e ka humbur dhe e ka harruar: jetën në familje.
Roza është ajo që ia fiton zemrën sepse ajo e di ç’është humbja. Ka lindur një fëmijë të vdekur të cilit i ka ngritur një dhomë të vogël që foshnja nuk e përdori kurrë, por ato mure e kanë ndarë Rozën nga bota.
Dy njerëz që ngjajnë në dhimbjen e tyre arrijnë ta zbusin pak nga pak urrejtjen për asgjë dhe t’i japin një dorë njëri-tjetrit, pavarësisht se njëra ia hedh dhe tjetri i shkon kokëfortë refuzimit deri në fund.
Aktorët Mishel Buke dhe Florons Luare Kaj, u kanë dhënë personazheve të tyre vërtetësinë, ftohtësinë dhe egërsinë e një drame pa pathos.
“Dhoma e vogël” është filmi i parë i gjatë i regjisoreve Stefani Sho dhe Veronik Rejmo që në vitin 2011 ka përfaqësuar Zvicrën në garën e Çmimeve Oskar.