Dhomat e zhveshjes kundër Tuhel: ”Po dobëson të gjithë lojtarët”

Sipas një burimi brenda klubit Tomas Tuhel ka humbur shansin që të shikohet si zgjidhja e problemeve në klub. Një burim, i cili ka preferuar të ruajë anonimatin, ka treguar për prestigjozen “The Athletic” se Tomas Tuhel “ka dobësuar të gjithë ekipin”.
Ashtu siç mund të dallohet edhe nga sjellja e lojtarëve në fushë shumë prej tyre kanë humbur besimin se me teknikun në fjalë gjërat mund të përmirësohen.
Sipas raportimeve të fundit drejtuesit e Bajernit po bëjnë gjithçka që të mos largojnë Tomas Tuhel që tani, por të presin fundin e sezonit e më pas të kenë kohë që të mendojnë për një emër të madh.
Mediet gjermane kanë njoftuar se në këtë drejtim një pjesë e drejtuesve nuk është dakord. Për disa drejtues më e mira është që të nisin bisedimet me Hansi Flik për një rikthim të bujshëm.
Skeptik mbetet Uli Hënes, i cili beson se Flik, pas dështimit me Gjermaninë ku nën urdhëra kishte shumë bavarezë, do ta ketë të vështirë që përsërisë suksesin e viteve ’20-‘21.
Kandidati i ëndrrave për Bajernin është Shabi Alonso.