Maqedonci: Serbia rrezik për rajonin, po dislokon forca të shumta në kufi me Kosovën

“Kosova po përballet me një dislokim të gjerë të ushtrisë, policisë dhe xhandarmërisë serbe në jug të Serbisë, kryesisht përgjatë vijës kufitare”. Kështu ka deklaruar në një intervistë për “The Geopost”, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci. Ai thotë se Serbia ka vendosur në kufi me Kosovën pajisje ushtarake të blera nga Kina dhe Rusia, që sipas tij përbëjnë një kërcënim të lartë për rajonin.
“48 baza operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe janë një kërcënim i vazhdueshëm për vendin tonë pasi janë në një lagësi nga 300 metra deri në 5 kilometra nga vija kufitare e Kosovës dhe janë të drejtuara armiqësisht kundër territorit të vendit tonë. Përveç tyre 3 nga 4 brigadat e ushtrisë serbe janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë. Ato nuk janë kërcënim vetëm për Kosovën, por edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Ejup Maqedonci, Ministër i Mbrojtjes në Kosovë.
I pyetur për sigurinë e qytetarëve të Kosovës, Maqedonci u shpreh se Serbia po zbaton taktika dhe formate të ndryshme të luftës, duke përfshirë edhe kërcënimet hibride.
“Vlerësoj se strukturat e Inteligjencës së Serbisë mbështeten nga struktura të inteligjencës ruse. Propaganda është një ndër elementët që Serbia ka shfrytëzuar ndër vite për të rrezikuar e cenuar stabilitetin në vendin tonë, por gjithashtu për të influencuar dhe për të mbajtur nën kontroll qytetarët serbë të Kosovës” , tha Maqedonci.
Maqedonci u shpreh se Forca e Sigurisë së Kosovës po punon për të qenë pjesë e NATO-s, por edhe Partneritetit për Paqe. Sipas tij këto janë vendime politike të vendeve anëtare, që jo të gjitha e kanë njohur pavarësinë, ndaj edhe hezitojnë ta pranojnë Kosovën.
/RTSH/