E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna ndaj grave Kujdes! Këtu të pret vdekja

vrasje179_0Nëse 2012 numëroi plot 28 vajza, gra, nëna të vrara nga prindërit, bashkëshortët, të dashurit, 2013 nuk qëndroi më mbara me hapin e mortit të tyre, deri tani numërohen 13. Pesë grave iu morr barbarisht jeta në vetëm 20 ditë të korrikut që ska mbaruar ende. Dy prej tyre brenda ditës. Ndërkohë qindra të tjerave iu kërcënohet jeta përditë. Bilancet janë tronditëse. Motivet gjithnjë e më të çmeritura…

Nga Gladiola Bendaj*

Sa kohë të jesh grua do pranosh që në jetën tënde të ketë rrësk dhe qeni. Kështu kanë ditur ti vënë vulën të qenit seks i dobët pasueset e Evës së Mallkuar ndër shekuj. Deri këtu shumë prej tyre mësuan të bashkëjetojnë me fatin e parashkruar. Të tjera u përtypën heshturazi dhe ato që u rebeluan, shpesh humbën. Po kur qeni jo vetëm që të hyn në pjesë, por ta merr jetën fare…?

Pesë grave iu morr barbarisht jeta në vetëm 20 ditë të korrikut që ska mbaruar ende. Dy prej tyre brenda ditës. Sa fëmijë mbetën jetimë? I numëroi kush? Me qindra të tjerave nga matanë ekranit të televizorit, që nuk kursente asnjë detaj nga ngjarjet makabre, vdekja i kërcënonte nga pas shpine. Si një thikë në dorën e burrit, një armë në dorën e të dashurit, një litar në dorën e atit…

Nëse 2012 numëroi plot 28 vajza, gra, nëna të vrara nga prindërit, bashkëshortët, të dashurit, 2013 nuk qëndroi më mbara me hapin e mortit të tyre. Me gjithë deklaratat e çjerrjet se fenomeni kishte prekur fundin dhe se urgjentisht duhej bërë diçka për të ndryshuar këtë realitet vrasës. Po a ka fund vdekja? Titullarët e kësaj pune, patën punë më të rëndësishme për të bërë. Prandaj bilanci shënon po të njëjtat të dhëna. Në këta shtatë muaj të këtij viti, plot 13 gra mbyllën sytë me lemeri duke iu shtuar listës së gjatë të fatkeqeje të një viti më parë.

Disa janë të reja, të tjera gra fëmijë, mesogra, të moshuara. Janë bionde, zeshkane, të thinjura, të dobëta dhe të shëndetshme, të diplomuara dhe analfabete, të varfra dhe të pasura. Disa kanë fëmijë, ndonjëra qe shtatzënë, të tjera jo…

Por janë të gjitha femra dhe vrasësit e tyre meshkuj, dhe shumicën e rasteve jo një i panjohur për to: janë bashkëshortët e tyre, të fejuarit, të dashurit, ndonjëherë baballarët, shpesh ish partnerët. Janë ata që iu marrin si pa të keq jetën, me një thikë pas shpine, nën breshërinë e një arme, në gjumë e zgjuar, duke i mbytur e torturuar, duke i bërë copa-copa, duke i djegur e hedhur më pas trupat e tyre përrenjve.

Të gjitha kronikat e vrasjeve të femrave nisin kështu: Pas sherrit në familje mbeti e vrarë. A mos vallë jemi mësuar të heshtim para shpjegimeve idiote që flasin për një motiv të dobët dhe më keq akoma të pranojmë se na paskërka edhe krime të tilla që etiketohen si krime për pasion?!. Që kur kush të vret të do?! Edhe sa kohë në fund të çdo viti a stine do bëjmë bilance e do pranojmë se fenomeni i vrasjes dhë dhunës ndaj femrave është shtuar?

Kokëprerat ato…

2013-ta, deri më tani, numëron 13 vrasje femrash. Motivi i ndyrë i dobët dhe burra që qurraviten gjoja pendohen. E para që shkeli pragun e vdekjes ishte italiania Giulia Poltofieri, 24 vjeçe. Ajo u vra nën breshërinë e kallashnikovit nga vjehrri i saj Engjo Lucaj, më 30 janar të këtij viti në Elbasan.

Dy javë më vonë, në ditën e të dashuruarave, një zjarrfikës 50 vjeç nga Erseka, rrëmbeu automatikun dhe i mori jetën të dashurës së tij 32 vjeçe Nertila Petriti. Më pas, mesoburri vrau veten.

Dy ditë më vonë, një tjetër ngjarje makabre ka tronditur në orët e para të mëngjesit qytetin e qetë të Kuçovës. Vasilika Muço, 66 vjeçe ka vdekur nga arma e dhëndrit të saj. Dhëndri që nuk pranonte dot divorcin, ka vrarë të dy prindërit e gruas dhe ka plagosur rëndë këtë të fundit.

Valentina Begu, 19-vjeçarja që humbi jetën në 30 mars të këtij viti ishte në fakt e divorcuar. Ajo u bë pre e gjaknxehtësisë së të atit Nikollës, i cili nuk i kurseu plumbat mbi trupin e së bijës.

Një javë më vonë, më 7 prill, plumbat i morën jetën edhe balerinës 26 vjeçare Sonila Tafa. Ajo dha shpirt në spitalin Ushtarak vetëm dy orë pas plagosjes në një lokal nate ku punonte si balerinë. Autori as që e njihte.

Po atë ditë në Durrës, Mereme Pashai, 70 vjeçe është rrahur për vdekje me dru në kokë nga i biri Lefteri, 49 vjeç, i cili pak kohë më parë kishte humbur të shoqen.

Më 26 prill, në Lekbibaj të Tropojës, Gjyste Paplekaj, 18 vjeç, është qëlluar për vdekje nga kushëriri i saj, efektiv i policisë rrugore. Sipas zbardhjes së ngjarjes, ajo i doli para plumbit që ishte nisur për të atin.

Vlorë, një muaj më vonë, një tjetër burrë i mori jetën gruas. Jo me plumb, por i cacu kokën duke e goditur papushim me gurë. 45 vjeçarja Lumturi Selimaj, nënë e dy fëmijëve, humbi jetën në spital pas dy ditësh lufte me vdekjen.

 

Korriku i pabesueshëm

Plot pesë femra kanë humbur jetën nga duar meshkujsh këtë korrik. Një javë pas Lumturisë në Vlorë, më 3 korrik, në lagjen Kombinat të Tiranës, Mimoza Nikolli, 48 vjeçe u vra me armë zjarri nga bashkëjetuesi i saj, një 64 vjeçar gardian burgjesh, i cili më vonë qëlloi edhe mbi veten.

Dhjetë ditë më pas, më 13 korrik, në Rrugën Tefta Tashko 46 vjeçarja Valbona Çarçani u ther me thika nga ish-bashkëshorti i saj Genci. Xhelozi, deklaroi policia.

Të pasnesërmen, me 15 korrik, në Fushë-Mamurras ishte radha e një tjetër Valbonë. 27 vjeçarja dha shpirt nga dhuna dhe goditjet me mjete të forta të bashkëshortit Marjan Lleshi, 44 vjeç. Edhe Marjani për motive xhelozie, tha më vonë policia. Edhe Markani ngaqë e donte…

Po atë ditë, pak orë më vonë, në Tiranë, nga xhelozia e sëmurë e të shoqit pushoi së rrahuri zemra eAlketa Canit, 37 vjeçe. Punonjësi i ushtrisë, i dehur siç qe, zbrazi kallashnikovin mbi trupin e bashkëshortes. Në foton që u publikua nëpër media, ku të dy ata kanë dalë të përqafuar, sytë e saj çuditërisht duket sikur qysh atëherë kërkonin Ndihmë!.

Por korriku se la me kaq. Të dielën e datës 21, një tjetër burrë xheloz do ti ngulte thikën në zemër të shoqes. Fatkeqja ishte kësaj radhe Anxhela Haga, ende fëmijë, vetëm 17 vjeçe.

2012-ta dhe 28 femrat që u bënë kurban nga meshkujt

2 shkurt. Eleni Basho laborante u qëllua me tre

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›