Serbia të mos i fshehë helmimet e vitit 1990 në Kosovë
Intervistë me Dr. Besnik Bardhin, mjek otorino-laringolog, veprimtar, politikan dhe publicist
Lufta për liri, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, një nga ngjarjet më historike të kombit shqiptarë, nxori në pah shqiptarët, që luftuan, punuan dhe ndihmuan në këtë fitore historike. Njëri prej tyre me një kontribut të paçmuar në Gjakovë është edhe Dr. Besnik Bardhi, i cili është mjek (otorinolaringolog), veprimtar, politikan dhe shkrimtar (publicist) shqiptar. Njëherësh, dhe autor i Librit “Agoni e Shpresa” një libër ky me kontribut të madh në dëshmitë për ndriçimin e helmimeve masive në Kosovë. "Aty, mes tjerash, ka shumë materiale të cilat dëshmojnë me forcën e argumentit vërtetësinë e helmimeve të rinisë shqiptare në Kosovë, në pranverën e vitit 1990 të kryer nga sigurimi shtetëror serb!" thotë në një intervistë, Dr. Besnik Bardhi. Në këtë libër, ai thotë në intervistën e tij Dr.Bardhi, për gazetarin Beqir Sina, se ka publikuar artikuj të ndryshëm nëpër gazetat e ndryshme të huaja dhe shqiptare, për të sensibilizuar këtë çështje me qëllim që çështja e shqiptarëve të Kosovës, të internacionalizohej sa më shpejt
Çfarë kontributi kanë dhënë deri tani dëshmitë e Tua - vepra “Agoni e Shpresa”, për ndriçimin e helmimeve masive në Kosovë?
Libri im është një përmbledhje e punimeve publicistike, të cilat u riredaktuan dhe u mblodhen në një tërësi të re në këtë libër. Aty, mes tjerash, ka shumë materiale të cilat dëshmojnë me forcën e argumentit vërtetësinë e helmimeve të rinisë shqiptare në Kosovë, në pranverën e vitit 1990 të kryer nga sigurimi shtetëror serb! Në librin tim “Agoni e Shpresa” publikohen edhe shumë argumente shtesë të cilat për herë të parë i sheh opinioni publik shqiptar dhe më gjerë, si p.sh faksimilet e Shoqatës se Mjekëve të Serbisë, të cilët me 30 mars 1990, në një mbledhje të mbajtur ne Prokupje, kërkojnë mbylljen e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, në fakt shkatërrimin e shendetësisë së Kosovës, si uvertyrë për luftën e cila më vonë pasoi në vitet 1998/99! Në kohën kur ndodhen helmimet e rinisë shqiptare në Kosovë, në pranverën e vitit 1990, isha në ngritje profesionale në shtetin e Kroacisë, pra në një klinike te ORL-së dhe Kirurgjisë së qafës, në Zagreb! Atëherë isha i afërt dhe mik i mirë me shumë intelektualë kroatë. Me njërin nga ata, ministrin e shëndetësisë së qytetit të Zagrebit, doc. Dr. Slobodan Lang, u dakorduam që ta organizojmë bashkarisht një simpozium shkencor për fenomenin e helmimeve në Kosovë! Pas shumë kërcënimeve qe na u bënë nga sigurimi shtetëror jugosllav edhe me likuidim fizik përmes thirrjeve telefonike dhe një kampanje të paparë të shtypit të Beogradit kundër organizimit dhe mbajtjes së këtij simpoziumi! Mirëpo përkundër të gjithave, me 9 qershor 1990, simpoziumi u mbajt dhe i perfundoi me sukses punimet! Aty dolen në shesh, të argumentuara shkencërisht, shumë fakte dhe dëshmi mbi krimin makaber që e kryen serbët mbi rininë shqiptare të Kosovës! Në atë Simpozium shkencor me karakter ndërkombëtar, të emërtuar “Kosova Sprovë e Ndërgjegjës Mjekësore”, hyri në histori si një tubim shkencor ku u hedh dritë dhe u arritën rezultate të shkëlqyera në demaskimin e politikës fashiste serbe në Kosovë! Nga ajo ditë shtypi më nuk i përdori thonjëzat kur shkruhej fjala helmim në Kosovë! Përveç librit tim që flet gjerësisht për këtë temë, nuk duhet harruar edhe librin e mikut tim, suedezit Goran Wassenius, i cili poashtu me këtë temë e shkroi librin “Sëmundja Mistike”, ku me mjaft sukses i prezantoi faktet për krimin serb të helmimeve në Kosovë!
Dr. Bardhi, keni thënë se librin “Agoni e Shpresa” jua keni kushtuar shqiptarëve dhe aleatëve ndërkombëtarë që punuan dhe u sakrifikuan për më shumë se një shekull për Kosovën e lirë dhe të pavarur. Pse?
Për një shekull lufte me okupatorin serb, u flijuan me mijëra shqiptarë! Kjo ishte luftë në vazhdimësi dhe kurrë nuk u ndal. Është gabim shumë i rëndë nëse ne themi që lufta ishte vetëm ne vitin 1998/99, në fakt kjo ishte përmbyllja e luftës njëqindvjeçare me armikun tradicional serbosllav! Kësaj radhe faktori dhe aleatet ndërkombetarë ishin në anën tonë, në fakt ishte forca kolosale ushtarake NATO, aleati ynë numër një. Me këtë forcë, ushtarët tanë ishin në çdo aspekt më të gatshëm ta shporrin definitivisht robërinë dhe krimet serbe nga këto troje! Shqiptarët e Kosovës kurrë nuk guxojnë ta harrojnë rolin e SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë… dhe shumë shteteve tjera, të cilat nuk kursyen asgjë që ta shpëtojneë nga shfarosja popullin shqiptar jo vetëm në Kosovë! Kjo është arsyeja pse këtë librin “Agoni e Shpresa” jua kushtova shqiptarëve dhe aleatëve ndërkombëtarë, që punuan dhe u sakrifikuan për më shumë se një shekull për Kosovën e lirë dhe të pavarur.
Helmimet masive, varret masive, të zhdukurit, besoj që janë pyetjet që brejnë ndërgjegjen e çdo shqiptari, sot mbas 14 vjet çlirim dhe 5 vjet pavarësi. Si duhet të bindim Europën me të vërtetën e këtyre ngjarjeve tragjike?
Te gjitha këto krime monstruoze të bëra ndaj shqiptarëve të Kosovës kanë pasur gjatë gjithë historisë njëshekullore të okupimit serb, ombrellë institucionale te shtetit serb! Çdo gjë është bërë në përpikmeri dhe përputhje të asaj çka ndodhet brenda kornizës së dokumentit famëkeq antishqiptar, “Nacertanje”! Perpiluesit e parë të saj ishin Garashanin, Pashiq, Andric, Qubrillovic, se fundi akademikët e SANU-s i përgaditën kasapit Milloshevic platformën për shfarosjen e qenies shqiptare nga Kosova! Europa është në dijeni për të gjitha këto fakte, por reagimi dhe qëndrimi antishqiptar i Nënës Rusi, pastaj Greqisë dhe disa shteteve që udhëheqin politikë jo parimore ndaj Kosovës dhe në përgjithësi ndaj shqiptarëve, ka bërë që gjërat mos të shkojnë në drejtimin e duhur!