E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna ndaj kamarierit- Pronari i hotelit dhe shoku i tij nga 45 ditë, burg pa afat për xhaxhain e 18-vjeçarit

Gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” me afat 45 ditë për dy personat e dyshuar për dhunën ndaj kamarierit 18-vjeçar, ngjarje e ndodhur në Malin e Robit, në Golem.

Bëhet fjalë për një nga pronarët e hotelit, Florian Habilaj, dhe shokun e tij, Enold Dragoti, të cilët u arrestuan nga Policia e Kavajës. Prokuroria i akuzon për “plagosje të rëndë me dashje”.

Sipas hetimeve paraprake, konflikti dyshohet se ka nisur për shkak të pagës së 18-vjeçarit, i cili punonte si kamarier në hotelin e bashkëpronarëve Habilaj.

Gjykata vendosi burg pa afat për Melson Nelën, xhaxhain e kamarierit Genti Nela.

Nela u arrestua pasi u kap në automjet me një kallashnikov dhe tre karikatorë.

Sipas Policisë, ai po udhëtonte i armatosur në drejtim të Golemit, me qëllim hakmarrjen ndaj personave që dyshohet se kishin dhunuar nipin e tij.

Hetimet vijojnë për të zbardhur të plotë rrethanat e konfliktit dhe dinamikën e ngjarjes.

/rtsh.al/ 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›