Bilanci i dy javëve të fundit në Dibër, 1760 shkelje të Kodit Rrugor, në fokus siguria gjatë sezonit veror

Përballë fluksit të shtuar të automjeteve gjatë sezonit veror dhe nevojës për garantimin e sigurisë rrugore, Policia Rrugore e Qarkut Dibër ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset e qarkut. Përmes përdorimit të mjeteve logjistike bashkëkohore, si dronë, radarë dhe makinat inteligjente, autoritetet synojnë parandalimin e aksidenteve dhe ngjarjeve rrugore me pasoja.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë Rrugore, monitorimi i vazhdueshëm i periudhës 17–30 gusht 2026 ka çuar në evidentimin e 1760 shkeljeve të ndryshme të Kodit Rrugor, ndaj të cilave janë marrë masat administrative përkatëse.
Kontrollet janë përqendruar në evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve që rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e përdoruesve të rrugës, ku spikasin drejtimi i mjeteve nën efektin e alkoolit, lëvizja pa leje drejtimi, parakalimet e gabuara, mospërdorimi i rripit të sigurimit dhe kaskës mbrojtëse, përdorimi i celularit gjatë drejtimit, si dhe qarkullimi me xhama të errësuar të pahomologuar.
Përmbledhja e masave administrative të evidentuara (17–30 gusht 2026):
769 masa për ndalim ose qëndrim të gabuar
364 masa për parakalime të gabuara
254 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor
174 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse
149 masa për mospërdorimin e rripit të sigurimit gjatë drejtimit të automjetit
23 masa për xhama të errësuar të pahomologuar
15 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit
12 masa për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit
Drejtoria e Policisë Rrugore Dibër bën të ditur se kontrollet intensive do të vijojnë pa ndërprerje në të gjitha akset rrugore të qarkut. Përmes një apeli drejtuar opinionit publik, policia fton drejtuesit e mjeteve të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, ndërsa inkurajon qytetarët që të denoncojnë çdo paligjshmëri në numrin pa pagesë 112.
/rtsh.al/