E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna ndaj mjekëve, protestojnë bluzat e bardha në Korçë

Korçë- Ngjarja e djeshme në spitalin e Korçës, ku një pacient goditi me sende të forta mjekun, ka detyruar që i gjithë stafi mjekësor sot të ndërpresë punën për një orë si shenjë proteste kundër dhunës që ushtrohet ndaj tyre.

Përpara spitalit mjekët kanë kërkuar më tepër mbrojtje nga shteti, pasi dhunohen jo vetëm nga pacientët, por edhe nga familjarët e tyre.

Dje në repartin e pneumologjisë 61-vjeçari, Hajder Bregu, ka goditur pas koke me karrige mjekun Thoma Nini, 57 vjeç,  njëkohësisht dhe ish-Konsulli shqiptar në Selanik, në momentin që ai ishte duke vizituar një tjetër pacient.

Më pas policia ka arrestuar autorin, i cili prej muajsh ishte i shtruar në këtë spital pasi vuante nga sëmundje kronike, dhe ka zbuluar se arsyeja e dhunës së ushtruar ishte sepse mjeku nuk kishte pranuar të firmoste dokumentet e tij për përfitim kempi, pasi Nini ishte dhe kreu i komisionit të Kempeve.

Një protestë të ngjashme zhvilluan para pak kohësh edhe mjekët e Kukësit, pasi ndodhte i njëjti fenomen. Ata dhunoheshin vazhdimisht nga familjarët e pacientëve, dhe forcat e rendit nuk merrnin asnjë masë ndaj tyre.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›