Dhuna ndaj shqiptarëve në Maqedoni, Berisha: Të ndëshkohen huliganët!
-- Ministria e Jashtme reagon për ngjarjet në Maqedoni: Dhuna ndaj nxënësve shqiptarë, akte kriminale të patolerueshëm
-- Digjet flamuri maqedonas përpara ndërtesës qeveritare
Qindra protestues shqiptarë të organizuar nëpërmjet rrjeteve sociale sot kanë protestuar në shenjë revolte ndaj incidenteve të djeshme ku për pasoj mbetën të plagosur disa të rinj shqiptarë. Por duket se protesta nga paqësore ka dalë jashtë kontrollit kur një pjesë e protestuesve kanë vazhduar të dhunojnë objektet bri rrugës, në mesin e të cilave edhe ato të projektit “Shkupi 2014”. Policia ka shtuar radhët dhe në përforcim kanë mbërritur edhe autoblinda, të cilët po sprapsin protestuesit. Raportohet se Policia ka arrestuar katër protestues.
Kryeministri Berisha
Kryeministri Sali Berisha reagoi publikisht për zhvillimet më të fundit në Maqedoni dhe dhunimin e nxënësve shqiptarë nga huliganë maqedonas. Më poshtë është postimi i kryeministrit në profilin personal në rrjetin social Facebook. “Ditët e fundit, grupe ekstremistesh e huliganesh maqedonas kane ndërmarrë sulme fizike te përsëritura, kundër nxënësve dhe te rinjve te etnisë shqiptare ne Shkup dhe kane keqtrajtuar dhe plagosur disa prej tyre. Këto sulme primitive, qe ne aparencë kane patur si shkak absurd emërimin ne detyrën e Ministrit të Mbrojtjes të z.Talat Xhaferi nga BDI, ne përputhje me marrëveshjen e koalicionit qeveritar, kane shkaktuar rritjen e mëtejshme te tensioneve ndëretnike dhe dëmtimin e klimës parazgjedhore ne Maqedoni. Qeveria shqiptare dënon me ashpërsi këto sulme primitive ndaj nxënësve dhe të rinjve shqiptare, nga ekstremiste fanatike maqedonas dhe i bën thirrje forcave politike shqiptare dhe shqiptareve te Maqedonisë të shmangin provokacionet dhe përshkallëzimin e dhunës. Qeveria shqiptare kërkon nga autoritetet maqedonase te ndëshkojnë me të gjithë forcën e ligjit autoret e këtyre akteve primitive, me të cilat ata duan të dëmtojnë rëndë bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoni.
Dje në Shkup u rraf brutalisht nga huliganët maqedonas një fëmijë shqiptar, 13 vjeç
Ramazan Iseni, 13 vjeçar është njëri nga fëmijët që është rrahur brutalisht nga huliganët maqedonas pas protestës së djeshme në Shkup. I riu shqiptar nga Studeniçani i Karshiakës është rrahur pranë një stacioni urban të autobusëve në Shkup, derisa po priste autobusin për të udhëtuar drejt fshatit, pas përfundimit të orëve të mësimit. “Ne ishim duke pritur për tu kthyer në shtëpi dhe për një moment turma ka vrapuar ndaj nesh, duke na rrahur dhe goditur me sende të forta. Autobusi sapo ka mrri dhe ne kemi arrit me u ngjit dhe falë Zotit kemi shpëtuar”, ka theksuar Ramazani, i cili ishte tërhequr nga disa të rinj të tjerë shqiptarë në autobus dhe i kanë shpëtuar dhunës brutale. Ai menjëherë më pas është ndaluar në një stacion tjetër dhe është dërguar në Spitalin e Qytetit të Shkupit. Ramazan Iseni është jashtë rrezikut për jetën, mirëpo ai ka pësuar tronditje të thellë dhe trauma, pas brutalitetit të përjetuar. Familja Iseni ka bërë thirrje për të ndaluar këto akte vandale dhe të dhunshme, sepse nuk ka siguri sipas tyre në këtë shtet dhe shqiptarët vazhdojnë të keqtrajtohen dhe dhunohen nga njerëz që asnjëherë nuk nxirren për tu dënuar para drejtësisë. Fatin e Ramazanit e kanë përjetuar edhe shumë të rinj të tjerë shqiptarë që kanë qenë duke shëtitur dhe udhëtuar drejt shtëpive të tyre në pjesën qendrore të Shkupit. Një dëshmitarë i ngjarjes ka thënë se janë rrahur brutalisht edhe derisa po pinin kafe pranë lumit Vardar në lokalet përreth në sheshin e Shkupit. Huliganët kanë qarkulluar nëpër disa akse rrugore dhe lagje, ku janë stacionet e autobusëve dhe ku dihet se udhëtojnë edhe një pjesë e udhëtarëve shqiptarë për lagjet periferike të Shkupit si Saraj, Karshiakë dhe Hasanbeg e Haraçinë.
Pre e dhunës edhe nxënësit e shkollës së mesme “Dimitar Vllahov”
Dhjetëra nxënës shqiptarë të shkollës së mesme “Dimitar Vllahov” janë sulmuar nga persona të panjohur, bëjnë të ditur mediat në Shkup. Sipas fëmijëve, dhunuesit kanë qenë të maskuar dhe të armatosur me mjete të forta, që nga thikat e sende të tjera të forta. Tre prej nxënësve shqiptarë kanë marrë plagë të rënda dhe për momentin, janë çuar për kurim në spitalin e qytetit. Sipas nxënësve dhe familjarëve të tyre, policia ka mbërritur në vendngjarje, me rreth 40 minuta vonesë, pas incidentit. Ajo nuk ka ndërmarrë asnjë aktivitet për ndjekjen e tyre, por thjesht ka mbledhur dëshmi nga të lënduarit. Gjysma e fëmijëve, aktualisht janë në ambientet policore, ku po japin dëshmitë e tyre mbi ngjarjen. Në vendngjarje, para urgjencës së qytetit, mbërriti edhe kreu i komunës së Haraçinës, Bastri Bajrami. Pikërisht nxënësit e sulmuar janë nga komuna Haraçinë. Sipas Bajramit, kjo dhunë është një skenar që ka për qëllim destabilizimin e situatës dhe mbjelljen e frikës ndër qytetarëve.
Reagon edhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë konsideron se akti i rrahjes barbare të nxënësve shqiptarë dhe përshkallëzimi i dhunës gjatë ditës së djeshme e të sotme në disa rajone të Shkupit në Republikën e Maqedonisë përbëjnë pamëdyshje jo vetëm akte kriminale të patolerueshëm, por edhe një tronditje serioze për vlerat themelore të një shoqërie multietinike dhe demokratike. MPJ duke uruar shërim të shpejtë dhe të plotë nxënësve e të rinjve shqiptarë të lënduar dhe duke shprehur solidaritet me familjet e tyre, dënon pa ekuivok dhe me forcë çdo incident e akt dhune. Apelojmë që autoritetet e vendit të ndërmarrin masa të menjëhershme për zbulimin dhe dënimin e autorëve, si dhe të përkujdesën që këto raste mos të përsëritën. Forca e ligjit duhet të veprojë ndaj kujtdo që kryen apo mbështet akte të tilla dhune. MPJ shpreh shqetësim se rishfaqja e incidenteve me sfond etnik dhe rritja artificiale e tensioneve e në Republikën e Maqedonisë, është sinjal alarmi për të gjithë ata që të ardhmen e rajonit tonë e shohin në familjen e Bashkimit Evropian dhe jo në një rikthim tek e shkuara e tensioneve apo konflikteve etnike. Ministria e Punëve të Jashtme u bën thirrje të gjithë faktorëve politikë në Maqedoni dhe veçanërisht faktorëve politikë shqiptarë të tregojnë maturi, pjekuri dhe veprim politik të përgjegjshëm. Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se dialogu konstruktiv, fryma e tolerancës, mirëkuptimit, si dhe bashkëpunimit efektiv mes të gjitha forcave të shoqërisë, për gjetjen e zgjidhjeve për çdo problem a situatë të brendshme të vështirë, është rruga e vetme në shërbim të stabilitetit të vendit, të integrimit të tij në strukturat evropiane dhe euroatlantike si interes madhor i të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, dhe rajonit gjithashtu.
...