Dhuna ndaj studentëve, BE: Jemi të shqetësuar, veprimet e policisë të jenë proporcionale

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka shprehur shqetësim për përshkallëzimin e dhunshëm të protestës së studentëve në kryeqytet, duke kërkuar që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore.
Në reagimin zyrtar, BE-ja bën të ditur se është në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve. Delegacioni kërkon që rastet e raportuara të hetohen me përparësi dhe u bën thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet.
Qëndrimin e Delegacionit të BE-së e ka shpërndarë edhe Ambasada gjermane në Tiranë, duke shprehur mbështetje për mesazhin e tij mbi respektimin e lirive themelore.
Reagimi i plotë i Delegacionit të Bashkimit Evropian:
“Ne shprehim shqetësim në lidhje me përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë.
Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.
Ne jemi në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve.
Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi.
Inkurajojmë të gjitha palët të ulin tensionet.
Dialogu konstruktiv ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë është e vetmja rrugë përpara.” a.b