Tragjedia në Shkozë, 35-vjeçari i vuri zjarrin banesës së prindërve të bashkëjetueses, pa jetë dy bashkëshortët

Një 35-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se i ka vënë zjarrin banesës së prindërve të bashkëjetueses së tij, në kompleksin e banesave sociale në Shkozë. Si pasojë e zjarrit, çifti i bashkëshortëve, 65 dhe 68 vjeç, humbi jetën në spital.
Ngjarja ndodhi rreth orës 00:30 të datës 14 tetor, në rrugën “Ali Shefqeti”. Pas njoftimit për zjarrin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 mbërritën në vendngjarje për të hetuar rrethanat.
Sipas policisë, nga veprimet hetimore të kryera nga ekspertët kriminalistë dhe specialistët për rastet e zjarrvënieve, dyshohet se autori është shtetasi Astrit Idrizi, 35 vjeç. Ai dyshohet se i ka vënë zjarrin banesës ku jetonin I. Ziu 65 vjeçe, dhe A. Ziu, 68 vjeç, prindërit e bashkëjetueses së tij.
Të dy bashkëshortët u dërguan për ndihmë mjekësore, por nuk arritën t’u mbijetonin plagëve dhe ndërruan jetë në spital.
35-vjeçari u arrestua menjëherë pas ngjarjes, si rezultat i veprimeve të policisë.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës për të sqaruar dhe dokumentuar me prova ligjore të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë. Materialet procedurale i janë referuar prokurorisë për veprime të mëtejshme.