E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dhuna në familje në Devoll, statistikat tregojnë ulje të numrit të raportimeve krahasuar me vjet

Në bashkinë Devoll është vënë re një ulje e numrit të rasteve të dhunës në familje të raportuara gjatë këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Koordinatorja e dhunës në familje, Ariana Hoxhallari, thotë se ky rezultat lidhet me ndërgjegjësimin në rritje të komunitetit, fushatat sensibilizuese dhe bashkëpunimin më të ngushtë mes institucioneve.

“Për janar-shtator 2025, për rrethin e Devollit janë referuar 12 raste, ku 9 raste i kemi të pajisur me urdhërmbrojtje dhe 3 raste me urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje. Për të njëjtën periudhë të një viti më parë kemi pasur 19 raste me urdhërmbrojtje. Pra, ka një reduktim”, tha Hoxhallari.

Megjithatë dhuna në familje mbetet një problem shqetësues, që kërkon vëmendje të vazhdueshme dhe mbështetje për viktimat.

“Nga ana e sektorit të kujdesit social janë marrë të gjitha masat e nevojshme për pjesën e monitorimit për urdhrat e mbrojtjes. Sipas ligjit në fuqi, një herë në dy muaj bëhet monitorimi. Rreth 80% të rasteve i kemi pasur gra, por kemi edhe një numër rastesh të pajisur me urdhër mbrojtje nga burrat”, u shpreh ajo.

Specialistët e fushës bëjnë apel që çdo rast i dhunës të denoncohet, për të parandaluar përshkallëzimin e situatave dhe për të garantuar mbrojtjen e të gjithë anëtarëve të familjes.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›