E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shkodër – Muzika dhe Piktura, dy profilet që po tërheqin të rinjtë në shkollën “Prenkë Jakova”

Viti i ri shkollor ka nisur me një interes më të lartë të nxënësve për dy profilet kryesore të Shkollës Artistike “Prenkë Jakova” në Shkodër, që janë Muzika dhe Piktura.

Ky institucion, i njohur për traditën e tij në formimin e talenteve, po tërheq gjithnjë e më shumë të rinj që duan t’i përkushtohen artit.

“E kemi filluar fazën e parë në muajin qershor. Kemi zhvilluar edhe fazën e dytë në muajin gusht. Për shkollën tonë ka pasur një interes goxha të mirë në krahasim me vitet e tjera. Në klasën e parë janë regjistruar 12 nxënës; në klasat e dhjeta, në kulturën e Pikturës dhe Muzikës, janë regjistruar gjithsej 30 nxënës. Gjithashtu kemi pasur prurje në klasat e ndërmjetme,” thotë Manjola Zoga, zëvendësdrejtore e Shkollës Artistike “Prenkë Jakova”.

Një tjetër veçori është fakti se nxënësit nuk vijnë vetëm nga qyteti i Shkodrës, por edhe nga zona të tjera të vendit, çka tregon shtrirjen dhe reputacionin që ka krijuar kjo shkollë artistike në nivel më të gjerë.

“Sidomos këtë vit kemi pasur shumë prurje nga qyteti, te kultura e Pikturës, ndërsa te Muzika kemi shumë edhe nga rrethinat, nga Lezha,” tregon znj. Zoga.

Shkolla “Prenkë Jakova” vijon të mbetet një vatër e rëndësishme e kulturës dhe artit, duke edukuar breza që do të mbajnë gjallë traditën dhe krijimtarinë artistike shkodrane e më gjerë.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›