E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna në familje, shifra alarmante në Durrës

Shtohet në mënyrë alarmante dhuna në familjet durrsake.
Statistikat e policisë së Qarkut e konstatojnë fenomenin e rëndë dhe trendin e tij në rritje. Gjatë vitit 2009 në qarkun e Durrësit u shënuan 145 raste të dhunës ndaj gruas.
Që nga fillimi i vitit 2010 e deri në këtë periudhë të muajit mars rastet e depozituara në polici numërohen në afro 40 të tilla.
Shumë punonjës të OJF-ve në Durrës shprehen se nuk është e vërtetë se dhuna në familje është dyfishuar vitet e fundit, përkundrazi në nivele të tilla kaq të larta ajo ka ekzistuar gjithmonë, por fenomeni ka qenë i fshehur, pasi gruaja nuk guxonte të denonconte.
Shoqëria shqiptare e sidomos gruaja është duke u emancipuar vazhdimisht, kryesisht pas futjes se ligjit 9669, i cili mbron gruan nga dhuna fizike dhe psikologjike.

Në këtë mënyrë, ligji u ka hequr grave frikën për të denoncuar burrin, ndaj zhveshja nga kjo frikë ka bërë që të shtohet numri i denoncimeve në polici. Policia garanton vendimet e gjykatave si dhe ndëshkimet që ajo u jep dhunuesve.
Tashmë gratë kanë kurajën për të denoncuar dhe se ato nganjëherë vijnë në polici edhe me shenjat e freskëta të dhunës në trup apo fytyrë.
Në raste të rënda, të cilat janë të rralla, kur mjeku-ligjor konstaton plagosje nga dhuna, atëherë në bazë të provave dhunuesi arrestohet dhe përgjigjet para drejtësisë për këtë vepër penale.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›