Dhuna në familje, vijon të jetë me bazë gjinore, 90% e viktimave gra

Gjatë dy viteve të fundit, afro 500 çështje janë regjistruar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Elbasan për dhunë në familje. Numrin më të lartë vijon ta mbajë dhuna nga bashkëshorti.
“Dhuna këtu dua ta theksoj është me bazë gjinore, subjekte të dhunës në familje për sa i përket grup-moshës janë deri në 55 vjeç”, tha Ardit Kuka, Gjykatës, Gjykata e Shkallës së Parë, Elbasan.
Gratë që denoncojnë dhunën janë ato që kryesisht banojnë në qytete. Kërkesa për një urdhër mbrojtjeje, në kushtet e menjëhershme, për të miturit shqyrtohet brenda 24 orëve, për madhorët brenda 48 orëve, ndërsa një urdhër i zakonshëm shqyrtohet brenda 20 ditëve:
“61% e rasteve janë pranuar vetëm 10% janë rrezuar”, u shpreh Ardit Kuka.
Sipas Kodit Penal, dhuna në familje dënohet me burgim deri në 5 vite, dhe nuk lejohet gjykim i shkurtuar e për pasojë dhunuesit nuk mund të përfitojnë uljen me 1/3 e dënimit.
/RTSH/