E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj: Kompensim të të gjithë dëmeve

Aq ishte e gjithë historia e mbrëmshme e kampiones Botërore, Italisë përballë Holandës.

Socialistët thonë se qeveria dhe shumica në pushtet duhet që të dëmshpërblejnë tërësisht të dëmtuarit e Gërdecit. Valentina Leskaj, kryetare e deputetëve të Partisë Socialiste pasi u dha mbështetjen e plotë dje punonjësve të fabrikës së çmontimit të municionit të Gërdecit, që kanë hyrë në grevë urie, kërkoi edhe në seancën plenare të pasdites në Kuvend, dëmshpërblimin e plotë për ta. Leskaj mbështeti kërkesat e grevistëve, të cilët kërkojnë kompensimin nga qeveria dhe kërkoi me vendosmëri që të plotësoheshin kërkesat e tyre. Ajo tha se në bazë të ligjit të emergjencës qeveria është e detyruar t’i kompensojë ata për çdo dëm. Në fjalën e saj para deputetëve, Leskaj foli për takimet me grevistët ndërsa përmendi në Kuvend edhe kërkesat e tyre. Kryetarja e deputetëve socialistë tha se flamuri i qeverisë kundër korrupsionit ka rënë, sikurse edhe vetë qeveria e shërbimit dhe shërbesave. Ajo shprehu qëndrimin e vendosur të socialistëve për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në Gërdec.

Paradite Leskaj tha në takimin me grevistët se socialistët do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, u garantoi dje grevistëve, të cilët i vizitoi i nga afër, se lufta në Kuvend në mbrojtje të tyre do të vijojë. “Ne si grup parlamentar i PS-së kemi kërkuar dhe do të vazhdojmë të kërkojmë në Kuvend të drejtat tuaja, sepse janë të drejta që ju janë marrë dhe jo privilegje që kërkoni. Na vjen keq që arrini në këtë ditë dhe që ju shohim në këtë gjendje. Për mua është një emocion i madh edhe si nënë, që shoh fëmijë të shtrirë këtu nga një hall shumë i madh, si rrjedhojë e një krimi shtetëror”, - u shpreh ajo. Numri një i socialistëve në Kuvend rikujtoi se tashmë, partia më e madhe e opozitës është në pritje të përgjigjes së mazhorancës, për projektin që prej kohësh socialistët kanë depozituar në Kuvend. Propozimi i socialistëve kërkon kompensimin në masën 100 për qind të dëmeve materiale, por edhe pagesën për dëmtime fizike, për humbjen nga vendi i punës, për invalidët etj. Leskaj nënvizoi faktin, se banorët e Gërdecit janë viktima të një krimi shtetëror dhe kostot e mësipërme nuk duhet t’i paguajnë ata, por shkaktarët e krimit. “Është humane, njerëzore dhe prezenca jonë këtu do të vazhdojë, teksa do ta ngremë zërin edhe në Parlament, siç kemi bërë deri tani, madje edhe më shumë, në rast se qeveria nuk plotëson kushtet tuaja”, - tha kryetarja e grupit parlamentar të PS-së. Valentina Leskaj garantoi grevistët dhe gjithë banorët e dëmtuar nga shpërthimi i Gërdecit, se partia më e madhe opozitare do të jetë krah tyre, ashtu siç do të jetë me ta edhe me propozime konkrete. Ajo premtoi se kërkesat do të vazhdojnë, derisa të plotësohen nga mazhoranca në pushtet. Ish-punonjës të fabrikës së çmontimit të municionit luftarak që shpërtheu më 15 mars në Gërdec, me pasojë 26 të vdekur dhe mbi 300 të plagosur e miliona dollarë dëme, janë në grevë urie që prej katër ditësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›