E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna në sport sështë sëmundje

Edmond Sufaj

Fenomeni i dhunës në futbollin tonë nënkupton një element linear dhe të pandryshueshëm, edhe pse ai vepron vizualisht në sytë e opinionit publik. Por cili është shkaku i dhunës në sportin më të ndjekur në Shqipëri? Një pyetje që na ka shoqëruar gjithmonë vitet e fundit, një pyetje që është bërë rutinë e zakonshme e jetës së përditshme, sepse, në vetvete, njeriu është një qenie që përshtatet shumë shpejt me kushtet dhe fenomenet që e rrethojnë. Gjithmonë flasim se dhuna u shkaktua nga një emër i caktuar, apo nga rrethana të caktuara. Vetëm kaq, sepse eliminimi i saj nuk ka ekzistuar, dhe me sa duket, vështirë të ndodhë në të ardhmen. Një pesimizëm i tillë lind natyrshëm kur shikojmë mënyrën e burimit të dhunës dhe shkaqet reale të kësaj dhune. Rasti i Peqinit krijon shumë pikëpyetje rreth këtij fenomeni. Nuk po e trajtoj rastin në fjalë si të mirëfilltë, pasi ngjarja përmban dy tablo të kundërta me njëra-tjetrën, por po e trajtoj si fenomen tipik në futbollin tonë. E vërtetë apo jo, imazhi i ngjarjes la një shije të hidhur në opinionin sportiv. Ekzistenca e një krisme, e një goditjeje fizike, e një fishekzjarri pa pritur dhe pa kujtuar, e një shantazhi për një  rezultat të caktuar në dhomat e gjyqtarëve, shkatërron pa asnjë ekuivok qëllimin kryesor të këtij sporti. Nëse qëllimi është argëtimi i njerëzve të një qyteti, atëherë një ngjarje e tillë e transformon qëllimin bazë të këtij sporti në një realitet sureal për vetë njerëzit. Dhe mbi të gjitha, nëse shkaktari i dhunës është një njeri i rëndësishëm i një ekipi të caktuar, atëherë mund të themi se burimi i dhunës në futboll është i vështirë për tu izoluar. Raste të kësaj natyre kemi ndeshur në shumë ndeshje të kampionatit shqiptar. Masat e marra kundrejt personave me rëndësi, të cilët kanë shkaktuar dhunë, nuk kanë ekzistuar ose kanë qenë të parëndësishme, ndërsa nga ana tjetër, dhuna elementare e kryer nga autorë dytësorë është dënuar maksimalisht nga autoritetet përkatëse të futbollit. Dikush do të thotë se ndëshkimi i rasteve të tilla nuk është kompetencë e juridiksionit të futbollit tonë. Nëse është kështu, atëherë do të pranojmë asimilimin me fenomenin e dhunës dhe si rrjedhojë pranimin e dhunës, por pa evidentuar autorin. Fenomeni i dhunës nuk konsiderohet më një sëmundje, pasi çdo sëmundje e ka një ilaç, por ajo po kthehet në një rreth vicioz të padepërtueshëm nga ndëshkimi që meriton. Edhe këto që po shkruajmë mbeten në rrafshin e opinionit vëzhgues, sepse fenomeni është një tablo e pikturuar nga autorë, jo vetëm të pacenueshëm, por shpeshherë jo ekzistentë. E parë në këtë këndvështrim, është për të ardhur keq që futbolli ynë nuk po del dot nga negativiteti që e ka përfshirë atë: dhuna. Çdo vend evropian karakterizohet nga një frymë e caktuar në zgjidhjen e problemeve dhe sidomos në fushën e sportit. Në vendin tonë, fryma e ndryshimit të realitetit që përfshin herë pas here futbollin nuk ka ndryshuar prej vitesh. Nuk them se masat e marra janë mjeti kryesor për parandalimin e këtij fenomeni, por mendoj se masat janë efikase kur ato shoqërohen me konceptimin e duhur për të luftuar fenomenin, kjo jo vetëm nga organet përkatëse, por dhe nga opinioni publik.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›