Troftat e Adriatikut
Klodi Leka / student
Është tejet absurd konflikti i fundit mbi dhënien e diplomës universitare të birit të Umberto Bossit, fashistit të Lega Nord, i cili e çmonte shqiptarin e dalë prej një diktature si krijesë që duhej tretur në zemër të Adriatikut. Them se është absurd për faktin se shqiptarët u shndërruan në kundërshtues skizofrenikë kundrejt një fenomeni që e prekin në përditshmërinë e tyre, por që e trajtuan si diçka të huaj, të ardhur prej përtej Adriatikut. Kush është problemi, idiotësia e Renzo Bossit, mosnjohja e shqipes prej tij, apo ksenofobia e të atit, e cila e rebeloi opinionin e përgjithshëm publik? Nuk ma merr mendja. Problemi është vetë opinioni publik a shqiptari i zakonshëm që hesht, nuk çel sytë dhe s’bëzan kundrejt epidemisë së universiteteve private, që shtohen pafundësisht prej shkresave dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave, ku kushtet bazë dhe kuotat që duhen përmbushur kufizohen në raport me dollarët e dhënë dhe peshën politike të prijësit të tij. Renzo Bossi nuk është i vetmi dhe i fundit që certifikohet si universitar. Ai është simboli i institucionalizimit të sistemit, ku analfabetët shndërrohen në profesorë brenda njëzet e katër orëve; i sistemit ku idiotët formësojnë ekzistencë numerike pesëshifrore. Thuajse gjysma e klasës politike është simetri e Renzos, që me dollarët e dhënë nën dorë mundësojnë mekanizmin e kalimit në politikëbërje, ku në logjikën e disa donkishotëve me kurrikulum universitari centralizohen fatet e katër milionë shqiptarëve. Por ky është veç filli i shkatërrimit tonë kolektiv, i shkatërrimit të dijes, sistemit dhe universitetit në të gjitha format e tij. Dhënia e diplomës analfabetëve nuk formëson më problemin kryesor, tashmë ky stad është tejkaluar me kohë, sepse katastrofa po merr zgjatime edhe më të rrezikshme me dhënien e të drejtës së masterit dhe doktoraturës universiteteve private, ku Renzoja i zhgënjyer me të qenit veç universitar, do porosisë përtej Adriatikut titujt e ‘prof.doc’. Ndërkohë, trofta e trashë e politikës shqiptare do të nisë të hajë cironkat e opinionit publik, në vetëhedhjen e përditshme në zemër të Adriatikut.