E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna, përjashtim përjetë për 4 lojtarë të Gramozit

TIRANE-Katër futbollistë të Gramozit janë përjashtuar përjetësisht nga futbolli nga Federata, pas dhunës që ata ushtruan ndaj gjyqtarit Gentjan Nora në ndeshjen ndaj Memaliajt, e vlefshme për Kategorinë e Dytë. Takimi i luajtur në Ersekë përfundoi 2-2, duke u kthyer në një arenë boksi pas fishkëllimës finale të arbitrit. Në fillim trajneri Visi Pei e më pas lojtarët Peçi, Saliko, Shupe e Liço, kanë goditur në mënyrë barbare arbitrin Nora, duke bërë që ai të mbetet në tokë i gjakosur dhe të përfundojë në gjendje të rëndë në spital. Edhe pse nuk kishte patur një qëndrim zyrtar të drejtuesve të Federatës, ditën e djeshme ka ardhur edhe dënimi përjetë për këta lojtarë, që akuzohen për dhunë ndaj zyrtarit të ndeshjes. Për çudi, për mospërmbushje të përgjegjësive, klubi i Gramozit ia ka hedhur vetëm me një gjobë prej 50.000 lekësh. Gjithsesi, ngjarja e ditës së dielë ishte vërtet shokuese e për më tepër, ishte rasti i parë i dhunës në fushat e futbollit. Arbitri Gentjan Nora ka qenë thuajse në gjendje koma, ndërsa gjatë goditjes, forcat e rendit e kanë patur të pamundur të ndalojnë dhunën e ushtruar nga lojtarët. Shkak për këtë ngjarje u bë thjesht fakti se Memaliaj barazoi 2-2, ndërkohë që ishte duke humbur 2-0. Për të gjithë në Ersekë, faji për këtë ishte i arbitrit, që përfundoi i gjakosur.
Skandali
Nuk mund të mungonte skandali i radhës për Federatën dhe Komisionin e Disiplinës. Ditën e djeshme, ky organ ka pezulluar për 4 ndeshje lojtarin e Skënderbeut Renato Arapi, pasi ai pështyu bëri një gjest anti-sportiv, duke tentuar të pështyjë gjyqtarin Remzi Sadiku gjatë ndeshjes së javës së shkuar kundër Bylisit. Në fakt, skandali qëndron në faktin se dënimi ka ardhur një javë me vonesë dhe vetëm pasi Federata u vu nën presionin e mediave dhe të klubeve, se kishte falur një lojtar të një klubi “mik” me presidentin e saj, ndërkohë që gjesti ishte i dukshëm. Gati 10 klube pak ditë më parë kërcënuan me bojkot nëse mbrojtësi i Skënderbeut nuk do të dënohej sipas rregullores, megjithëse Komisioni i Disiplinës nuk e mori fare në konsideratë çështjen e tij. Menjëherë pas këtij presioni, dy javë pas takimit, Arapi është pezulluar për 4 ndeshje.
Dënimet
Në vendimet e djeshme të Komisionit të Disiplinës në FSHF, spikat pezullimi me 12 muaj i zyrtarit të Partizanit Paro Laçi, i akuzuar për nxitje të braktisjes së ndeshjes. Ndërkohë, dënimit nuk i ka shpëtuar as Bledar Mancaku i Teutës, për një lojë të rëndë ndaj kundërshtarit, në ndeshjen ndaj Teutës, që u luajt të premten.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›