Dhuna vazhdon jashtë stadiumit, gurë edhe ndaj tifozëve korçarë
Dhuna në Ersekë ka vazhduar edhe jashtë stadiumit. Pas ndërprerjes së takimit, për shkak të sendeve të forta që tifozët e Gramozit kanë hedhur në fushë, duke plagosur gjyqtarin kryesor Artan Taullau dhe njërin prej asistentëve të tij, tifozeritë janë përballur edhe në rrethinat e impiantit. Pas acarimit për një humbje që tashmë duket e vulosur (Skënderbeu pritet të marrë tri pikët në tavolinë pas ndërprerjes së ndeshjes), ultrasit kolonjarë janë “hakmarrë” ndaj tifozëve të shumtë korçarë, që kishin udhëtuar për të mbështetur skuadrën e tyre në këtë transfertë shumë të rëndësishme për mbijetesën. Replikat dhe sharjet, por edhe kontaktet fizike, u mbyllën me hedhjen e gurëve ndaj mbështetësve të Skënderbeut, ndërsa disa prej këtyre të fundit mbetën të plagosur. Për të qetësuar situatën është dashur ndërhyrja e forcave të rendit. Edhe pse stadiumi i Ersekës ishte shndërruar në një bunker, ku për ruajtjen e rendit ishin angazhuar afro 200 uniforma blu, dhuna nuk u arrit të shmangej.
Ndërkohë, vendasit akuzojnë gjyqtarin Taullau se e kishte paracaktuar rezultatin e ndeshjes përpara fërshëllimës së fillimit: për t’i dhënë fitoren me çdo kusht Skënderbeut. Kjo është deklarata e kryetarit të Bashkisë së Ersekës, Adriatik Braçe, i intervistuar nga “SuperSport”, menjëherë pas ndeshjes. “Gjyqtari Taullau gjeti një arsye më shumë për ta përfunduar ndeshjen përpara kohe. Ai e kishte përcaktuar rezultatin dhe kjo ishte arsyeja e ndërprerjes. E dënoj dhunën dhe nuk e mbështes atë, por duhen ndëshkuar edhe ata që e nxisin, ku në rastin konkret bëhet fjalë për Malindin. Lojtari i Skënderbeut ishte personi që duhej penalizuar, pasi ai shkaktoi acarimin e publikut me sharjet e tij. Arbitri e pa shumë mirë skenën dhe në vend që ta ndëshkonte sportistin për gjeste antisportive, duke e nxjerrë nga fusha me karton të kuq, e anashkaloi këtë episod. Mendoj se hedhja e gurëve nuk mund të shërbejë si justifikim për pezullimin e ndeshjes, pasi tifozët u qetësuan. Megjithatë, Taullau është një usta i vjetër dhe di si të veprojë në raste të tilla”, tha kryebashkiaku Braçe. Në anën tjetër, trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, nuk e ka fshehur faktin se skuadra e tij kërkon tri pikët në tavolinë. “Nuk e di se çfarë vendimi do të merret për këtë që ndodhi, pasi ai i takon FSHF-së. Problemet u shkaktuan nga tifozët vendas, të cilët hodhën sende në fushën e lojës. Në këtë takim u paraqitëm për rezultat dhe më intereson të marrim pikët që erdhëm për të fituar, edhe sepse luajtëm mirë”, deklaroi tekniku i ekipit korçar.
#