FSHF, thirrje për distancim nga dhuna
Pas dhunës së ushtruar në Ersekë, ku takimi Gramozi-Skënderbeu u ndërpre në minutën e 75-të, pas goditjeve më gurë të gjyqtarëve, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i FSHF-së. Institucioni që drejton futbollin në vend u ka bërë thirrje drejtuesve të klubeve, por edhe lojtarëve, tifozëve dhe qytetarëve të thjeshtë, që të distancohen nga këto veprime. “Ndeshja u ndërpre për shkak të hedhjes së sendeve të forta në fushë nga tifozeria vendase (e Gramozit). Pasi ka kërkuar ndërprerjen e këtyre veprimeve, të cilat për fat të keq kanë vazhduar, gjyqtari vendosi të përfundonte përpara kohe ndeshjen”, theksohej në deklaratën për shtyp. “Federata u bën thirrje të gjithë qytetarëve, tifozëve, lojtarëve dhe drejtuesve të klubeve që të distancohen nga veprime të tilla jo normale, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me futbollin. Këto akte të dhunshme, prishin imazhin e sportit dhe cenojnë bukurinë e garës. FSHF u kërkon sportdashësve të ruajnë qetësinë, ta ndihmojnë dhe jo ta pengojnë zhvillimin normal të ndeshjeve”.
#