Dhunë në Ersekë, goditen gjyqtarë

Dhuna pushton kampionatin shqiptar të futbollit, që po kalon një nga periudhat më të zeza ndër vitet e fundit. Në vend të ndërgjegjësimit, pas disa ndeshjeve të ditëve të fundit të mbushura me incidente jo pak të rënda, dhuna u rikthye edhe më e ashpër të shtunën në supersfidën në luftën për të mos rënë nga Kategoria Superiore, Gramozi-Skënderbeu. Tension i lartë, goditje me gurë të gjyqtarëve, vendime të dyshimta dhe të kontestuara fuqishëm të “bluzave të zeza” nga kolonjarët dhe në fund ndërprerje në minutën e 31-të, për të mos vijuar më tej. Gjithçka ka ndodhur në stadiumin e Ersekës, ku Skënderbeu e gjeti golin pa kaluar ende minuta e parë, Klevisi Roshi gjuajti nga një distancë rreth 40 metra, portieri i Gramozit reagoi, por topi u rikthye te sulmuesi kroat i korçarëve, Milaim Guerrib, i cili i dha avantazhin skuadrës së tij, duke shënuar njëherësh edhe golin e tij të 11-të sezonal. Një shokim i vendasve, të cilët dalëngadalë e marrin veten. Semir Haxhibuliç i kishte të gjitha mundësitë për të barazuar rezultatin në minutën e 12-të, por mesfushori boshnjak nuk e shfrytëzoi rastin. Duhej të kalonin 20 minuta nga ky moment, që Gramozi ta gjente rrjetën e portës së Skënderbeut, por anësori Ergin Doda ka anuluar gjithçka. Kjo e ka tensionuar pa masë situatën, por gjërat sidoqoftë janë mbajtur nën kontroll. Loja ka vijuar e fortë dhe me përpjekje të shumta të kolonjarëve për të barazuar (Haxhibuliç goditi shtyllën pingule të portës së Llapanjit në minutën e 60-të), por pa rezultat. Me fitoren 1-0 të korçarëve është mbyllur pjesa e parë, ndërsa e dyta ka nisur por nuk ka përfunduar. Vendimet e shumta të anësorit Doda për pozicione jashtë loje i kanë irrituar jashtë mase tifozët vendas, të cilët në minutën e 75-të kanë lëshuar “rrebesh” gurësh në drejtim të lojtarëve miq, por në veçanti në drejtim të “bluzave të zeza”. Një send i fortë ka goditur edhe gjyqtarin anësor, i cili ka lënë pozicionin e tij dhe është drejtuar te mesi i fushës. Drejt tij ka vrapuar kryesori Artan Taullai, i cili përveçse ka pësuar një tërheqje muskulore dje ka kërkuar ndihmën e stafit mjekësor të vendasve, është goditur edhe nga një gur. Në atë moment është ndërprerë gjithçka për të mos vijuar më: Treshja e gjyqtarëve, e detyruar nga situata kaotike, ka hyrë në dhomat e zhveshjes, për të mos dalë më që andej, as për të vërshëllyer për moszhvillimin e ndeshjes. Pas konsultimeve të bëra mes gjyqtarëve dhe vëzhguesit të FSHF-së, Besnik çela, është vendosur përfundimisht: Ndeshja të mos vazhdojë më, kështu që përsëritet precedenti i sfidës Flamurtari-Kastrioti pak javë më parë. Tashmë pritet të mblidhet Komisioni i Disiplinës, për të marrë edhe vendimin përkatës, i cili, sipas gjasave, do të jetë dhënia e fitores në tavolinë korçarëve, për shkak se klubi vendas nuk ka garantuar dot zhvillimin normal të ndeshjes së futbollit. Ndërkohë edhe një herë tjetër përfundojnë në qendër të kontestimeve gjyqtarët, të cilët akuzohen se po ndikojnë në favor të disa skuadrave me vendimet e tyre të padrejta dhe tendencioze.
#