Dhunë në Pukë, gjyqtari Sopjani përfundon në urgjencëArbitri anuloi një gol të pukjanëve në ndeshjen Tërbuni-Kastrioti. Ndeshja u ndërpre para kohe për shkak të dhunës nga tifozët vendas

“Topa bore hedhin...tifozët pukjanë”. Ky ishte “refreni” i ndeshjes midis Tërbunit të Pukës e Kastriotit të Krujës (1-1), të vlefshme për javën e 19-të Kategorisë së Parë e që përfundoi me goditjen e anësorit Fatmir Lamaj e dhunimin e gjyqtarit kryesor Mentor Sopjani, ndërprerjen e lojës e me “transferimin” e këtij të fundit në urgjencën e spitalit të Pukës.
Ndeshja e fazës së parë kishte përfunduar me fitoren 5-1 të Kastriotit në Krujë, dhe pragndeshja kishte qenë shumë e “nxehtë” edhe pse Puka prej javësh ka qenë e mbuluar nga bora e tifozeria e Tërbunit kërkonte fitoren.
Takimi u shoqërua me dhunë verbale nga ultrasit vendas, e më pas degradoi edhe me sulme me topa bore nga tifozeria, çka solli edhe ndërprerjen e ndeshjes për gati 15 minuta.
Shkodrani Franc Ahi shënoi për Tërbunin në minutën e 15-të të ndeshjes, duke çuar në delir tifozerinë vendase. Më pas nisën edhe disa vendime të pakuptueshme të gjyqtarit Sopjani dhe të asistentë të tij.
Në minutën e 33-të të ndeshjes nisi edhe irritimi i parë i madh i tifozëve, pasi sipas burimeve nga Puka, gjyqtari kryesor Mentor Sopjani nuk u tregua në lartësinë e duhur në disa vendime të tij.
Një top i fortë bore i ardhur nga shkallët e stadiumit goditi anësorin Limaj, që solli edhe dëmtimin e këtij të fundit dhe ndërprerjen e parë të ndeshjes.
Edhe pjesa e dytë ishte e tëra nën “breshërinë” e topave të borës, ku kulmi arriti me anulimin e një “supergoli” të realizuar në minutën e 55-të nga ana e Arenc Dibrës për Tërbunin e Pukës, që sipas drejtuesve të klubit pukjan ishte i rregullt. Kjo, kur disa minuta me pare Sopjani kishte larguar me karton te kuq Terrolin e Terbunit.
Vendimi irritoi edhe më shumë tifozerinë vendase, duke goditur edhe më shumë me topa bore anësorin e ndeshjes. Në minutën e 78-të Kastrioti barazoi me anë të zëvendësuesit Prela.
Në minutat shtesë Sopjani nuk dha një penallti, të “pastër” sipas vendasve, çka irritoi edhe më shumë tifozerinë vendase, që në minutat e fundit u tregua shumë agresive me gjyqtarët, çka e detyroi Sopjanin të ndërpresë lojën pa përfunduar edhe dy minutat shtesë.
Dhuna mbi Sopjanin e detyroi këtë të fundit t’i drejtohet urgjencës së spitalit të qytetit verior.
E Shtune, 28 Shkurt 2009