Dhunë në Siri, shënohen 34 viktima
Të paktën 34 persona, në mesin e të cilëve 16 civilë, humbën jetën në Siri, pasi armata përforcoi operacionet kundër disa vatrave të protestave dhe u përlesh me ushtarë dezertorë në afërsi të kufirit turk, kumtuan aktivistët sirianë për të drejta të njeriut.
Udhëheqësi i Qendrës siriane për të Drejtat e Njeriut, Rami Abdel Rahman e akuzoi armatën për shfrytëzimin e taktikës "shtëpi të djegura".
Ekzistojnë informacione për raste për vënien flakë të shtëpive të kryengritësve dhe ushtarëve të dezertuar në Deraa, Homs, provincat Idlib dhe Hama, deklaroi Rahman, duke theksuar se kjo taktikë shfrytëzohet çdo ditë, më shumë se tre muaj.
"Ushtria kryen vjedhje dhe plaçkitje. Ky është një lloj dënimi kolektiv, që mund t`u bashkohet krimeve të kryera kundër njerëzimit", theksoi Rahman.
Mbrëmë në Siri janë vrarë edhe nëntë ushtarë të dezertuar dhe nëntë ushtarë të forcave proqeveritare.
Kryetari i Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), Jakob Kelenberg mbrëmë arriti në Damask për vizitë dyditore, në kuadër të së cilës do të takohet me disa ministra, me qëllim që të bisedohet për ndihmën humanitare dhe armëpushimin, kumtoi organizata.
Takimet e Kelenbergut fillojnë sot me biseda me ministrin sirian të Punëve të Jashtme, Valid Mualem, ministrin e Punëve të Brendshme Mohamed Ibrahim as Shaar dhe kryetarin e Gjysmëhënës së Kuqe Abdel Rahman Atar, deklaroi zëdhënësi i KNKK në Damask, Saleh Dabakeh.
Kelenberg pritet nesër të vizitojë qytetin Deraa, ku mund të ndahet edhe ndihmë humanitare, theksoi zëdhënësi.