Dhunimi i grave në Nartë, flet e moshuara: Më dërrmoi fytyrën, i ofrova para por nuk i mori
Të keshë frikë të flesh gjumë ky është mankthi që po përjetojnë çdo ditë e natë banorët e fshatit Nartë në Vlorë.
Pak ditë më parë ata dolën në një protestë duke kërkuar ndihmë pasi gjendja po përkeqësohej. E moshuara e përdhunuar nga njeriu misterioz ka folur për një të përditëshme për herë të parë pas traumës që përjetoi. 75-vjeçarja Eftali N. ka treguar ngjarjen me brengë në shpirt dhe ka vendosur ta bëj publike:
Isha në gjumë të parë, kish kaluar ora 1 e natës. Veç kur pashë një njeri me një çorape të zezë në kokë që erdhi tek krevati. Nuk dëgjova zhurmë, pse edhe nuk dëgjoj mirë. Kishte 4 çorape në kokë dy të gjata dhe dy të shkurtëra.
Nuk fliste fare, a thua se ishte një fantazmë. Pastaj ushtroi dhunë në fytyrë. E tmerruar unë thërrisja pa ndërprerë emrin e kunatës, që jeton e vetme edhe ajo 4-5 metra larg meje. Ishte një burrë mesatar rreth të 50-tat. I afrova edhe të holla, por nuk i mori.
Unë mendova vetëm vdekjen, asgjë tjetër. Më bëri copë nga fytyra dhe u largua. U ngrita dhe thirra kunatën, pamë që kish hequr hekurat e penxheres së aneksit. Unë kisha çiften e burrit që është ndarë nga jeta pak kohë më parë dhe më rroftë që e mbaj në shtëpi. Por flas kot, se unë dhe asnjë grua që është bërë nënë, nuk mund të vrasë njerëz edhe pse këto mostra nuk duhet të jetojnë në shoqëri. Por unë kam një peng, që dua ta them.
Në Nartë kanë ndodhur së paku edhe 13-14 raste, dhe të them të drejtën, për vetë pozicionin që ka shtëpia ime, i kisha thënë kryetarit të Komunës z. Fredo Berberi. Të keqen nëna ne jemi dy gra këtu, në periferi, në mes të pyllit, na vendos një roje, se e paguajmë vetë. Pasi ndodhi kjo, iu vërsula me të keq kryetarit dhe i thashë: Çfarë shteti jeni, more djalë? Ndodhi e para, e dyta e treta deri tek e dhjeta, çfarë mase keni marrë?
Më thanë që sot kanë shkuar edhe tek një plakë tjetër, që është më e re, 65 vjeçe, ka punuar në shëndetësi. Turp për policinë, turp për Qeverinë, turp për të gjithë. Unë dua të vë alarmin në emër të shoqeve të mia që janë dhunuar dhe të tjera që mund ta pësojnë, të merren masa, të mos i zërë gjumi pushtetarët, përndryshe kanë mallkimën tonë.
Kurrë nuk ka ndodhur një gjëmë e tillë. Në kohën e Enverit, jo të prekte njeri, por matej mirë edhe kur fliste me gojë. Ishim të sigurtë. Ishte diktator, por kishte siguri. Unë kam bërë shkollën në Tiranë dhe venim e vinim me kokë lart. Po në këtë demokraci, çfarë fituam? Turpin, që nuk lahet në të dyja dynjatë. Më besoni, pas kësaj që më ndodhi, unë jam një kufomë mes të gjallëve.