E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brenda 24 orësh vriten dy gra

foto nga vendngjarja e vrasjes ne TiraneDy vrasje makabre janë shënuar brenda një dite në Tiranë e në Mamurras. Rasti i parë është shënuar në familjen Lleshi nga Kurbini ku kryefamiljari 17 vite më i madh se gruaja në mënyrë monstruoze e ka rrahur bashkëshorten e tij me dru derisa e ka lënë pa jetë. Dalja e shpeshtë e bashkëshortes nga banesa pa lejen e tij, dyshohet se është shkaku i krimit në familje me motive të forta xhelozie. E ka rrahur me dru për minuta të tëra, duke e lënë të vdekur në mes të dhomës, vetëm pak pasi kishte nxjerrë nga shtëpia 3 fëmijët e mitur, dy vajzat dhe djalin. Thirrjeve të tyre për ndihmë banorët i janë përgjigjur menjëherë, por kur policia mbërriti, ka qenë shumë vonë për ti dhënë mjekimin dhe shpëtuar 27-vjeçaren Valbona Lleshi. Rreth orës 10:30 policia prangosi si të dyshuar bashkëshortin Marjan Lleshi, 44 vjeç, me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese.
Vrasja makabre
Krimi ndodhi në Fushë-Mamurras të Kurbinit, brenda shtëpisë përdhese të familjes ku jetonin bashkëshortët prindër të tre fëmijëve të mitur. Përgjatë ditës së diel dhe mëngjesit të së hënës, bashkëshortët kishin pasur debate të forta dhe me motive të dobëta. I dyshuari Marjan Lleshi i kërkonte që të mos dilte shpesh nga banesa dhe pa lejen e tij. Duket se 27-vjeçarja nuk i është përgjigjur kësaj kërkese. Në konstatimin e fundit, 44-vjeçari ka nisur të dyshojë. Sipas fqinjëve, zhurmat janë dëgjuar rreth orës 05:00 të mëngjesit. Policia tha se krimi ka ndodhur shumë më vonë. Kur kanë mbërritur Patrullat, gjetën në mes të dhomës trupin e përgjakur të 27-vjeçares. Dërgimi drejt spitalit ka qenë i kotë. Ekspertët konstatuan se gruaja, nënë e tre fëmijëve, kishte plagë të shumta në trup, por edhe në pjesën e pasme të kokës. Dëmtimet në tru mendohet se i shkaktuan edhe vdekjen. Para krimit, në mëngjes, babai i ka nxjerrë për të luajtur jashtë. Policia tha se ata kanë dëgjuar zhurmat, por nuk mundën të bënin asgjë. Kurse njoftimi është kryer me vonesë.
Vrasja në Tiranë
Ndërsa vrasja e dytë ka ndodhur në Tiranë në rrugën Sadik Petrela ku shtetasi Ilirjan Cani ka qëlluar me automatik bashkëshorten e tij dhe më pas është vetëplagosur me të njëjtën armë. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme rreth orës 18:10 në zonën e Kodrës së Priftit në kryeqytet. Mësohet se Ilirjan Cani ka vrarë gruan e tij Alketa Cani dhe më pas ka qëlluar mbi veten e tij. Sipas informacioneve paraprake dyshohet se autori ka qenë në gjendje të dehur në momentet kur ka kryer krimin. Mësohet se çifti ka dy fëmijë. Ndërkohë policia po heton për krimin.

Genci Çarçani e vrau ish-gruan pas denoncimit në Polici
Gruaja e kishte denoncuar për kanosje ish-bashkëshortin e saj Genci Çarçani dy ditë para krimit në Komisariatin nr. 1 dhe madje ka kërkuar marrjen e tij nën hetim edhe 30 minuta para se të ndodhte tragjedia. Pikërisht në momentin kur 48-vjeçari duhej të gjendej në komisariat për të dhënë shpjegime për denoncimin, ai i ka zënë rrugën ish-bashkëshortes Valbona Çarçani duke e masakruar me thikë në mes të rrugës. Nga ana tjetër, vetë i dyshuari gjatë marrjes në pyetje është vetëmbrojtur duke deklaruar se e kishte vrarë pasi nuk e lejonte të takonte dy vajzat 20 dhe 18 vjeçe pas divorcit të tyre të hershëm dhe se e tradhtonte me burra të tjerë. Kurse për momentin e vrasjes, 48-vjeçari ka thënë se ish-gruaja e ka sharë dhe goditur me çantë në rrugë dhe ai nuk duroi dot më duke e sulmuar për vdekje. Por grupi hetimor beson se fakti që ka pasur një armë të ftohtë me vete mbështet akuzën e vrasjes me paramendim për shkak të cilësive të veçanta. Dosja po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi klasifikimit të krimeve në familje si, si krime të rënda dhe me rritje të masës së dënimit. Dalja për masë sigurie pritet të bëhet në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Mes çiftit kishte konflikte të hershme dhe jetonin të ndarë. Por i dyshuari Genci Çarçani mësohet se i bënte shumë shpesh vizita ish-gruas 45-vjeçare. Edhe dy vajzat e çiftit, kanë dëshmuar se prindërit vuanin një gjendje depresioni të theksuar, grindeshin shumë shpesh mes tyre dhe ishin të stresuar. Valbona ishte ankuar për bezdisjet e herëpashershme të ish-bashkëshortit Genci Çarçani. Policia ende nuk ka dhënë sqarime në lidhje me këtë fakt, nëse ka pasur apo jo denoncim nga e ndjera dhe përse nuk është ndërhyrë për tu vlerësuar si rast me qëllim parandalimin e këtij krimi në familje. Portë afërmit pohuan se shpesh Valbona ankohej për sjelljen e ish-bashkëshortit të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›