E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhunohen studentët në Iran; përgjegjëse MB

Teheran- Kryetari i parlamentit iranian, Ali Larijani deklaroi sot se Ministria e Brendshme ishte përgjegjëse dhe duhet të përgjigjej për sulmet e dhunshme kundër studentëve dhe banorëve të një qyteti të madh në veri të Teheranit, njoftoi agjencia e lajmeve "Ilna".

"Çfarë kuptimi ka të sulmohet konvikti i studentëve gjatë natës ose që në orën 02:30 të mëngjesit të sulmohet një qytet dhe të prishet qetësia e banorëve. Ministria e Brendshme është përgjegjëse dhe duhet të përgjigjet", deklaroi Larijani.

Sipas disa qendrave studentore të internetit, konviktet ishin të dielën në mbrëmje objektiv i një sulmi të dhunshëm nga persona civilë të dyshuar si anëtarë të milicisë islamike "bassidj". Sipas këtyre informacioneve, ndërhyrja mendohet të ketë shkaktuar disa të vdekur.

Milicët bassidj varen nga korpusi i Gardianëve të revolucionit, ushtria ideologjike e regjimit. Disa parlamentarë iranianë, ndër të cilët nënkryetari i parlamentit, konservatori Mohamad Hasan Abutorabi-Fard, kërkuan dje arrestimin e përgjegjësve të sulmit.

Përveç kësaj, një sulm i dhunshëm u ndërmor nga persona civilë kundër qytetit Sobhan, në veri të Teheranit. Agresorët hynë në qytet, goditën njerëzit dhe shkatërruan disa ndërtesa, njoftuan disa dëshmitarë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›