E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Votoni për mua!

Tiranë -Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka vazhduar turin e tij për prezantimin e kandidatëve të qarkut Tiranë në komunën Farkë. Gjatë takimit në këtë komunë, Rama ka premtuar dhënien e statusit ligjor të metropolit qarkut të Tiranës. Rama është angazhuar se pas 28 qershorit qeveria e tij do ti japë qarkut të Tiranës këtë status, duke sqaruar se ky status ligjor do sjellë shërbime të integruara në të gjithë qarkun, si dhe rritje të punësimit në këtë qark.

“Do t’i japim status të ri ligjor Qarkut të Tiranës si metropol i Shqipërisë dhe duke i hapur rrugë një zhvillimi të ri, me një ritëm të ri, me një shpejtësi të re kryeqytetit dhe të gjithë zonave të tjera, që nga Dajti e deri në Rrogozhinë e Kavajë, që nga Farka deri në Vorë, Ndroq e Kashar, duke u zhvilluar me një shpejtësi të re si një metropol i integruar, me shërbime të integruara”-theksoi kreu socialist.

Ai shtoi se do të ruhet autonomia e të gjitha njësive vendore, por duke i hapur rrugë një zhvillimi të qëndrueshëm rajonal. “Banorët dhe banoret e kryeqytetit kanë një arsye të thjeshtë për të votuar më 28 qershor për mua dhe për Partinë Socialiste: që transformimet e bëra në këto vite, t’i përshpejtojmë dhe që të bëjmë në 4 vitet e ardhshme më shumë se ç’kemi bërë në 8 vitet e shkuara të marra së bashku në Tiranë. Ndërsa të gjithë të tjerët që banojnë rreth Tiranës kanë po ashtu një arsye madhore e cila ka të bëjë me domosdoshmërinë që edhe komunat përreth edhe Bashkitë e tjera të këtij qarku, deri në Kavajë, të mund të zhvillohen me ritmin e Tiranës”-vijoi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›