Dhunohet barbarisht ish-kreu i PD në Dajç, Sokol Toma/ Policia e Lezhës zhvillon hetime intensive dhe sekuestron pamjet e kamerave të sigurisë

Policia e Lezhës ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur rreth orës 22:00 të datës 9 maj 2026, në autostradën “Mamurras–Laç”, pranë kryqëzimit të Sanxhakut, ku persona ende të paidentifikuar kanë goditur me sende të forta ish-kryetarin e Partisë Demokratike në Njësinë Administrative të Dajçit, Sokol Toma , 53 vjeç, banues në Lezhë, duke i shkaktuar dëmtime në trup.
Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor ka nisur veprimet intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Policia ka sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë në një territor të gjerë dhe po kryen një sërë veprimesh të tjera hetimore. Hetimet pritet të ndihmojnë në përcaktimin e dinamikës së sulmit dhe në identifikimin e personave të përfshirë.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, kur persona të maskuar i kanë prerë rrugën Tomës dhe e kanë goditur me sende të forta, përpara se të largoheshin.
Ai është konstatuar në gjendje shoku brenda automjetit nga kalimtarë të rastit dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka theksuar se veprimet hetimore po vijojnë me intensitet dhe se autorët e dhunës do të vihen para drejtësisë.
/rtsh.al/