E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhunohet roja dhe u ulahet flaka tre ekskavatorëve te gurorja në Kurbin, policia nis hetimet

Një ngjarje e rëndë kriminale ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit në Mamurras të Kurbinit, ku persona ende të paidentifikuar kanë sulmuar me dhunë rojën e një guroreje dhe i kanë vënë flakën mjeteve të punës.

Sipas të dhënave paraprake zyrtare, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 pasmesnate. Ka qenë vetë pronari i subjektit tregtar (gurore), shtetasi F. K., ai që ka njoftuar menjëherë me telefon organet e Policisë së Shtetit pasi është vënë në dijeni për sulmin.

Rrethanat e ngjarjes dhe dëmet e shkaktuara

Nga informacionet e para mësohet se autorët kanë hyrë në ambientet e gurores dhe kanë goditur fizikisht rojën e subjektit, shtetasin B. X., 45 vjeç.

“Persona të paidentifikuar kanë goditur rojën e subjektit dhe më pas u kanë vënë flakën 3 mjeteve të rënda, si dhe një kontejneri.”, thuhet në njoftim.

Pas sulmit ndaj rojes, autorët u kanë vënë flakën tre mjeteve të rënda të tipit ekskavator. Si pasojë e përhapjes së shpejtë të flakëve, është djegur tërësisht edhe një kontejner që shërbente brenda territorit të gurores.

Pasi ka marrë njoftimin, Policia e Kurbinit ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor për menaxhimin e situatës në vendngjarje.

Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, eksperte dhe hetues po vijojnë punën intensive përmes marrjes në pyetje të dëshmitarëve, këqyrjes së provave materiale dhe mbledhjes së pamjeve filmike për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe identifikimin e kapjen e autorëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›